E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori i KE, Berisha: “Kujdes me përkthimin e përgjigjeve”

Autori i Lajmit: S. Topi
Miratohen 7 kapitujt e parë të pyetësorit të Komisionit Evropian nga 35 që janë gjithsej. Komiteti Ndërministror i Integrimit ka kaluar një për një të gjitha përgjigjet e dhëna nga administrata shqiptare përpara se të përkthehen dhe ti dërgohen Brukselit. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit. Ai e vlerësoi si një lloj provimi për të gjitha ministritë, agjencitë, qeverinë dhe vendin në tërësi. Kryeministri informoi se në këtë proces janë angazhuar mbi 400 ekspertë të të gjitha fushave, si dhe dhjetëra specialistë të huaj të vendeve mike që kanë kaluar me sukses këtë proces. Sipas Berishës, mbetet shumë e rëndësishme përkthimi i tyre në anglisht dhe kontrolli i përkthimit. Duke kërkuar kujdes të veçantë në çështjen e përkthimit, Kryeministri u shpreh se Brukseli do të vlerësojë variantin anglisht, ndaj kërkohet një përkthim kompetent i të gjithë kapitujve të pyetësorit. Berisha ka shtuar se deri tani është punuar mbi 1/5 e dokumentit të KE-së, ndaj kërkohet përqendrim maksimal në mënyrë që ti paraqesim KE-së materialin e përfunduar në momentin më të parë të mundshëm. Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, vuri në dukje se deri tani në këtë proces janë përfshirë 1200 punonjës të administratës shqiptare. Pyetësori i Komisionit Evropian iu dorëzua kryeministrit Berisha më 16 dhjetor 2009, nga kreu i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, ambasadoti Helmut Lohan. Pyetësori i KE-së ka një volum prej 384 faqe dhe përmban 2.284 pyetje të ndara në 35 kapituj.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›