E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja, Topi një zë për Sejdiun në OKB

 

Presidenti i vendit, Bamir Topi, do të flasë në OKB, duke mbrojtur dhe çështjen e pavarësisë së Kosovës. Zyra e shtypit bën të ditur se, “Presidenti Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi niset sot në SHBA, në krye të një delegacioni zyrtar, për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”. Sipas zyrës së shtypit, në seancën e posaçme të debatit të përgjithshëm, kryetari i shtetit do t’iu drejtohet të pranishmëve në këtë veprimtari me një fjalë, në të cilën do të përshkruhen arritjet dhe sukseset e Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik, vizioni dhe bashkëpunimi i saj me OKB-në dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, si dhe qëndrimi tashmë i njohur mbi shtetin më të ri ballkanik të Kosovës dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit rajonal e më gjerë. Në sesionin e 63-të pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, por ai nuk do të ketë mundësinë të flasë, prandaj mendohet se Topi të luajë rolin e avokatit mbrojtës së pavarësisë dhe të krijimit të shtetit më të ri kosovar. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Presidenti i Republikës do të jetë i pranishëm në takimin e organizuar nga Presidenti amerikan Xhorxh Ë. Bush dhe Presidenti i Irakut, Jalal Talabani me vendet që kanë kontribuar në Irak. Gjithashtu, kryetari i shtetit është i ftuar në forumin “Iniciativa Globale Klinton”, si dhe do të marrë pjesë në takimin e sfidave të përmbushjes së objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. Ai do të jetë i pranishëm në veprimtaritë e 100-vjetorit të themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare në Amerikë dhe kontributit të rëndësishëm historik të Fan S. Nolit në krijimin dhe ruajtjen e Autoqefalisë së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›