E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetja e Ditës/Pallatin e Lindës e ndërtoi vërtetë një pensionist, apo ka investitor Edi Ramën?

21-01-2013 / Gazeta 55

“Jam shumë i kënaqur sepse tanimë opinioni publik e njeh plotësisht të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”. Kjo ishte përgjigja bisht-bërje e radhës që Edi Rama artikuloi dje përballë gazetarëve ndaj pyetjes “Kur e keni shkelur ligjin për urbanistikën, në vitin 2001 kur keni anuluar lejen e ndërtimit për disa familje autoktone tiranase apo 4 vjet më pas kur ju keni dhënë një lejë tjetër ndërtimi, për të cilën PD ju akuzon se ja keni dhënë atë familjarëve të bashkëshortes suaj?”. Ai (Edi Rama), i cili i jep të drejtë vetes që të përcaktojë e standardizojë “të vërtetën”, ai (Edi Rama) i cili “të vërtetat” e pretenduara prej tij i vjell nëpërmjet suflerëve Taulant Balla apo Erion Braçe, së fundmi, e ka pasuruar listën e vjellje-vrerit, edhe me gruan e tertë a të katërt të tij, Linda Rama. Edi Rama mund të pretendojë se ka “ekskluzivitetin” e “të vërtetës”. Ai edhe mund “kënaqet shumë”, se e vërteta e pallatit apo e 100 milionëshit është vetëm sipas gruas së tretë a të katërt të tij, Linda Rama... Por për të vërtetat për heqje-dhënien e lejeve të ndërtimit në rrugën “Qamil Guranjaku” ai duhet të ketë, jo aq burrërinë (sepse kjo është e dyshimtë), se sa detyrimin ligjor, për të mos thënë edhe moral, që të shpjegohet për dystandardizimin në heqje-dhënie të dy lejeve të ndryshme ndërtimi. Deri më sot, as Taulant Balla, as Erion Braçe, por as gruaja e tretë a e katërt e tij, nuk kanë artikuluar ndonjë “të vërtetë”, pse ia hoqi lejen e ndërtimit familjes Çela dhe pse ia dha lejen e ndërtimit familjes Basha. Edi Rama nuk mund të justifikohet me “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, me shumë gjasa, të Linda Ramës. Por, jo nuk është e mjaftueshme. Sepse edhe për këtë rast, Linda Rama mund të dijë gjysmën e dytë të kësaj “të vërtete”, bie fjala pse familjarët e saj, ishin aq me fat të siguronin një leje ndërtimi nga “i gjati”, por ajo, mund edhe të dijë, por s’është personi përgjegjës që mund të artikulojë gjysmën e parë të “së vërtetës”, atë me heqjen e lejes së ndërtimit për familjen Çela..., por për aq kohë sa Linda Rama mund të dijë këtë gjysmë të vërtetë, por nuk mund të justifikojë burrin e dytë të saj, është ky, “burri i gjatë”, që për sjelljet e tij me dy standarde, nuk ka pse fshihet, jo pas Taulant Ballës e Erion Braçes, por as pas “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën” e gruas së tretë a të katërt të tij. Ndërtimi i pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar, familjarë të Linda Ramës ka edhe një “të vërtetë” tjetër. Kjo “e vërtetë”, e marrë dhe e besuar si e sinqertë nga ana e Linda Ramës, lidhet me investitorët e këtij pallati. Duke tentuar me sforco të besojmë Linda Ramën në këtë “të vërtetë” të saj, se një pallat u ndërtoka në Tiranë edhe me kontributet e një pensionisti apo të një të vetëpunësuar, problemi është se sa e beson vetë Edi Rama këtë “të vërtetë”. Ai (Edi Rama) i cili u lodh duke folur për krizën ekonomike në Shqipëri, që u lodh duke folur për një milion të papunë, duhet të pranojë e të kapërdijë, se në një situatë të tillë, një pensionist sfidon gjithë teoritë mbi ekonominë dhe arrin të ndërtojë me pension e tij një pallat pesëkatësh, por edhe me garazh. Këtë “të vërtetë” të Linda Ramës ende Edi Rama nuk e ka konfirmuar si “të vërtetë dhe vetëm të vërtetë”..., që do të thotë se e beson, por “nuk ia nxë goja” ta thotë..., ose..., ose..., është ai vetë investitori… Ndaj edhe është e mjaftueshme bisht-bërja e tij, ndaj “të vërtetës” së Linda Ramës.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›