"Portreti i një gruaje të panjohur" i Da Vincit në Ankand
SHBA- Një pikturë e cila dikur mendohej se ishte vepër e Leonardo Da Vinci, e titulluar "Portreti i Një Gruaje të Panjohur", pritet të nxirret në shitje në një ankand që do të organizohet së shpejti nga Sotheby në Nju Jork. Tashmë e cilësuar si vepër e një piktori anonim, punuar prej tij rreth dy vjet pas vdekjes së Da Vinci, ky portret gruaje ngjalli diskutime në vitin 1929. Gjithçka nisi kur eksperti i famshëm i artit, Sër Xhozef Duvin, kundërshtoi shitësit e pikturës, familjen Hahn nga Kansas City, në lidhje me origjinalitetin e saj. Kjo gjë u bë shkak për nisjen e një konflikti ligjor i cili zgjati disa vjet.Xhorxh Uaçer është zëvendës drejtuesi i seksionit të Sotheby në Amerikën e Veriut dhe të Jugut si dhe bashkë-kryetar i ‘Piktura të Mjeshtrave të Vjetër në Mbarë Botën’. Ai shpjegoi atë që kishte ndodhur në këtë gjyq dramatik. "Tërë këta shkollarë të mëdhenj u sollën në Kansas City nga Duvin si Bernard Berenson, si Langton Douglas, tërë më të mirët e asaj kohe. Por gjithçka që mundën të thonin ata ishte "Kam parë kaq shumë punime të Leonardo Da Vinci, kam studiuar kaq shumë piktura të tij ndaj mund të them që nuk bëhet fjalë për një vepër të Leonardo Da Vinci". Megjithatë nuk pati asnjë provë shkencore ndaj juria, edhe pse nuk mendoj se ishte tërësisht në anën e familjes Hahns, mbështeti pretendimin e tyre. Si përfundim Duvin u detyrua t’iu paguante 60,000 dollarë për mbylljen e procesit gjyqësor ndërkohë që piktura mbetet ende pronë e kësaj familje. Ajo ka qenë gjithnjë pronë e kësaj familje" tha Uaçer.Kjo vepër paraqet një zonjë në tre të katërtat e profilit të saj. Sipas Uaçer ky portret është i ngjashëm me një tjetër të ekspozuar në muzeun e Luvrit në Paris. Ajo vepër mendohet se mban firmën e Da Vinci ose një prej nxënësve të tij. Në të paraqitet Lukrezia Krivelli, e dashura e Ludoviko Sforca, Duka i Milanos.Përsa i përket debatit në lidhje me pronësinë e kësaj vepre ai është ende i hapur. Një ndër ekspertët kryesorë të veprave të Da Vinci tha në vitin 1993 se kjo pikturë ishte punuar nga Da Vinci. Megjithatë ai tha se piktura ishte realizuar në gjysmën e parë të shekullit 17. Tashmë Sotheby ka parashikuar ta shesë këtë pikturë me një çmim prej 300,000 deri 500,000 dollarë. Ajo do të jetë pjesë e një ankandi me titull Vizatime të Mjeshtrave të Hershëm. Ndër elementët e tjerë të spikatur në këtë koleksion janë edhe piktura e Hendrik Goltzius "Jupiteri e Antiopa" e cila pritet të shitet me një çmim ndërmjet 8-12 milion dollarë piktura e Francisko de Zurbaran "Shën Doroti" e cila pritet të shitet me një çmim prej 3 deri 4 milion dollarë dhe piktura e Rembrandt "Portret i një gruaje të re me kapele" e cila pritet të shitet me një çmim prej 8 deri 12 milion dollarë. "Portret i një gruaje të panjohur" do të nxirret në ankand më 28 Janar.(s.t/BalkanWeb)