E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranasve u "rreh" sahati 12:00!

Në zemër të Tiranës, aty ku është caktuar qendra e kryeqytetit, kupton se koha ka mbetur në vend. Katër faqet e sahatit të madh prej kohësh tregojnë se ora është 12:00. Por jo vetëm kaq, të katërta orët e mëdha nuk janë në mirëkuptim me njëra-tjetrën, dy prej tyre shënojnë 12:00, dy të tjera shënojnë 12:50. Kush ndalon përpara xhamisë së madhe të kryeqytetit, apo para stacioneve të autobusit, të mos i besojë sahatit. Ai "të gënjen për kohën". Akrepat në krye të kullës së madhe nuk thonë të vërtetën. Ato tregojnë se është mesditë, si në orët e para të mëngjesit, ashtu edhe pasdite, si kur ngryset, ashtu edhe kur gdhihet.

Ndoshta prandaj edhe burrat që qëndrojnë aty pranë bareve të sahatit rrinë për një kohë të gjatë atje, pasi teksa kontrollojnë orën, shohin se ajo nuk kalon, mbetet 12:00.

Çudi e madhe nuk është për kryeqytetasit, të cilët shohin orën që "rreh" po 12:00. Çudi për ta është kur shohin se ora e dorës dhe ajo e qendrës tregojnë kohën njësoj. "Ora më shumë është e prishur, sesa e rregulluar. Tani habitemi kur tregon kohën tamam, jo kur prishet", thonë shitësit aty pranë sahatit.

Linja autobusësh, taksi, burra që pinë kafe, luajnë shah e domino, besimtarë që ndalojnë para xhamisë, kalimtarë nga e gjithë Shqipëria, ecin, ndalojnë, sillen vërdallë. Vetëm akrepat e orës nuk lëvizin, ato mbeten te numri 12. Askush nuk i jep "ujë" orës. Askush nuk e ka në plan ta rehabilitojë atë.

Projekti i rehabilitimit

Një shpresë për përmirësimin e kohës në qendër të Tiranës na e ka dhënë bashkia e madhe e kryeqytetit. Pak kohë më parë, teksa specialistët prezantonin rregullimet që kanë në plan për kryeqytetin në përgjithësi dhe qendrën në veçanti, diçka u tha edhe për sahatin. Sipas planeve të rregullimit, akrepat e sahatit të madh do të lëvizin, por ende nuk dihet nëse ato do të "meremetohen", apo do të ndërrohen komplet nga fillimi.

Sipas bashkisë së kryeqytetit, ora do të rregullohet, por ende nuk është vendosur nëse do të blihet një e re, nëse do të blihen pajisje të cilat janë tepër të shtrenjta, në mënyrë për ta bërë sahatin të funksionojë, apo nëse do të ndryshojë rrënjësisht identiteti i orës. Diskutimi për zëvendësimin e pjesëve apo për blerjen e një ore të re ka lindur pasi këto materiale këmbimi janë tepër të shtrenjta, aq sa do të ishte më e leverdishme të blije një të rem sesa të merreshe me riparime herë pas here.

Sahati i madh është i përbërë nga katër orë me diametër 1 metër e 70 centimetra. Deri tani punonjësit e bashkisë janë munduar ta mirëmbajnë orën e madhe të tiranasve, por pavarësisht kujdesit të tyre, ndonjëherë edhe të tepruar, orës i ka kaluar afati i përdorimit.

Sahati i madh në mes të qytetit ka më shumë se 30 vjet që u tregon kohën kalimtarëve. Pavarësisht cilësisë që mund të kenë pajisjet të cilat vendosin në funksionim katër orët e mëdha të sahatit, nën shi, erë, temperaturë të lartë, edhe hekuri do të pësonte ndryshime me kalimin e kohës.

Rehabilitimi i fundit

Sahati i madh, i përbërë nga katër orë që shikojnë në katër drejtime, jug-veri, lindje-perëndim, është vënë në punë në vitin 1974. Ora është sjellë nga një fabrikë e Shangait, Kinë. Asokohe katër specialistë kinezë kanë ardhur në Shqipëri, montuan pajisjet dhe vendosën orën në punë. Sahati është një nga të vetmet ora publike, i cili shërben edhe si objekt kulture, që vizitohet dhe parapëlqehet t‘i njihet historia edhe nga turistët, të cilët, në mënyrë të pashmangshme kalojnë pranë sahatit dhe xhamisë së Et‘hem Beut. Ndoshta turistët mund të jenë të paktët njerëz që sahati i "gënjen", sepse kryeqytetarët shumë pak herë i besojnë sahatit të madh të vendosur në qendër. Pasi kanë parë akrepat e tij, të gjithë e konfirmojnë me orët që mund të kenë me vete...

Box

Historiku

Vendosja e orës në kryeqytet

Mjeshtrit Tufina kanë qenë të parët që montuan orën venedikase. Në fillim nuk ishte me akrepa, por me një kambanë prej tunxhi dhe një mekanizëm kurdisës. Këto pajisje kontrollonin goditjet në çdo orë fikse. Gjatë Luftës së Parë Botërore, kambana e sahatit pushoi së "kënduari". Ajo dhe pjesët e tjera u grabitën. Më pas, ora me katër fushëpamje u ble në vitin 1928 në Gjermani, nga Bashkia e Tiranës. Akrepat ndalën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ora u dëmtua gjatë bombardimeve dhe u rivu në punë në korrik të vitit 1946, me pjesë këmbimi të marra nga Sahati i Kishës së Madhe në Shkodër. Më pas, një sahat kinez u vendos në vitin 1974. Që prej asaj kohe, pajisjet e orës së madhe nuk janë zëvendësuar. Sahati në qendër, produkti kinez, ka qenë i lidhur me gjithë rrjetin e orëve të shpërndara nëpër kryeqytet.

Prej tyre shumë pak orë kanë mbetur të varura në ndonjë hekurishte, apo të pluhurosura në ndonjë kryqëzim të qendrës së qytetit.

Hallexhinjtë e sahatit

Byrekët dhe ëmbëlsirat e qendrës

Evidentuesi i qendrës së qytetit është Skënderbeu në majë të kalit. Ndërsa fraza: "Te sahati" nënkupton një takim, një kafe, leximin e një gazete në stolat pranë orës së madhe. Por jo vetëm kaq, lokalet, byrektoret, ëmbëltoret dhe lojërat e fatit që ndodhen pranë sahatit të ofrojnë edhe variacione të tjera. Nëse ke uri, aty pranë sahatit mund të blesh byrek, tullumba me shërbet, mafishe. Aty mund të kthesh edhe ndonjë gotë raki me shokët. Nëse mendon që ke fat, mund ta provosh atë te ruletat pranë sahatit apo duke ecur edhe pak më andej, pranë pallateve me 9 kate. Alternativat që të ofron qendra nuk mbarojnë këtu, pranë sahatit gjenden edhe zyrat e Bashkisë së Tiranës, sektorë që presin e përcjellin, dëgjojnë hallet e popullit. Nëse kujtohesh për ndonjë punë pezull mund të ndalosh edhe në zyrat e shërbimit të qytetarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›