Regjistrimet e fundit, deri më 15 nëntor
Regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë deri më datën 15 nëntor. Kjo datë është sanksionuar në udhëzimin e posaçëm të ministrit të Arsimit për këtë fazë të tretë pranimesh në universitetet publike. Gjithashtu, udhëzimi përcakton se për regjistrim, kandidati duhet të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale: Dëftesë pjekurie; Certifikatë lindjeje me fotografi; dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh. Ndërsa për kandidatët që janë çregjistruar nga një fakultet dhe janë shpallur fitues në një degë tjetër, nevojitet edhe vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale duhet të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga drejtoria arsimore rajonale/zyra arsimore përkatëse. Këta kandidatë duhet të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë mësimore të universiteteve publike dhe më pas të dërgohen në Ministrinë e Arsimit. Vetëm pas verifikimit të bërë nga MASH-i mund të kryhet regjistrimi përfundimtar nga sekretaritë mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë. Veprimet e çregjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj nga sekretaritë mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë duhet të dokumentohen në regjistrin bazë të studentëve nga data 7 deri më 15 nëntor. Institucionet publike të arsimit të lartë detyrohen të shpallin në vende të dukshme në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit ose çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.