E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli, Urdhri i Mjekëve: Doktorë, të fitojmë besimin e pacientëve

Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë u drejtohet mjekëve me këtë apel: "Të gjithëve na rëndon pesha e krizës së besimit, prandaj na takon neve të japim kontributin për daljen prej saj. Të fitojmë besimin dhe respektin e qytetarëve tanë, duke u dhuruar atyre respekt e përkujdesje dinjitoze me profesionalizëm të lartë". Ashtu si në mbarë botën, edhe në traditën e vendit tonë, në çdo rrethanë dhe situatë, mjeku dhe gjithë personeli shëndetësor kanë qenë dhe mbeten figura të rëndësishme dhe të respektuara nga gjithë komuniteti.

Për këdo që mund të ketë harruar, sjellim në kujtesë se edhe në kushtet e tejskajshme të mungesës së institucioneve, si në vitin 1997, trupat mjekësore në vendin tonë, me përkushtim dhe ndërgjegje profesionale, qëndruan dhe përballuan me sukses trajtimin e qindra qytetarëve të lënduar. Tranzicioni i zgjatur me gjithë problematikën e tij pasqyrohet dhe në shërbimin shëndetësor të vendit tonë, por kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon humbjen e respektit dhe aq më keq dhunën verbale dhe fizike kundër mjekëve dhe personelit shëndetësor. Rastet ekstreme të keqtrajtimit të mjekëve në Tiranë e Vlorë tregojnë se dhuna po bëhet një dukuri e rrezikshme që kërcënon punën normale të institucioneve tona shëndetësore. Pavarësisht standardeve të munguara, infrastrukturës së dobët shëndetësore, thyerjeve të disiplinës profesionale dhe etikës mjekësore, kurrsesi nuk justifikohet vetëgjyqësia dhe përdorimi i dhunës ndaj bluzave të bardha.

Mbrojtja e interesave dhe shëndetit të pacientëve ka qenë dhe mbetet prioritet institucional për Urdhrin e Mjekëve të Shqipërisë. Përpara kësaj situate të rëndë, Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, në mbledhjen e tij të fundit të zgjeruar me pjesëmarrjen e kryetarëve të disa shoqatave profesionale të mjekëve dënoi njëzëri dhunën e përdorur nga persona kriminalë dhe të pandërgjegjshëm kundër mjekëve tanë. Ai tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe mbarë komunitetit për të dënuar dhe për t‘ju thënë ndal këtyre akteve barbare. Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë dhe kryetarët e shoqatave profesionale të mjekëve që morën pjesë në këtë mbledhje, shprehin edhe një herë besimin se gjithë opinioni ynë i shëndoshë, institucionet shëndetësore dhe organizatat e tjera jo qeveritare do të bëjnë një punë të përbashkët efektive për parandalimin dhe dënimin e akteve të dhunshme kundër personelit shëndetësor. Personelit shëndetësor duhet t‘i garantojmë kushte pune dhe sigurie për të kryer misionin e tyre humanitar në mbrojtjen e shëndetit të gjithë komunitetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›