Përhapja e gjuhës italiane, një privilegj për të punuar në Shqipëri

(Intervistë me drejtoreshën e Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibaldi)
- Znj. Tibaldi, ju keni 5 vjet qe drejtoni këtë institucion të rëndësishëm. Cila ka qenë karriera juaj para mbërritjes në Shqipëri?
- Unë gjithmonë kam preferuar të punoj në vendet ku institucionet kulturore kanë një funksion të rëndësishëm të përhapjes së gjuhës dhe kulturës italiane. Në selitë e mëdha evropiane apo amerikane, në fakt, institucionet kulturore të pasura dhe prestigjioze mund të përballojnë, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, sjelljen për publikun te vlerave me përfaqësuese që ofron tradita e madhe kulturore dhe artistike italiane.
Vlera e Instituteve të Kulturës, për mendimin tim, shprehet më mirë, në përputhje dhe me burimet financiare, me qëllimin për të përmbushur, me anë të aktiviteteve që synojnë gjithnjë cilësinë, tërheqjen ndaj çdo gjëje që është italiane, in primis kulturën, të atyre vendeve që nuk e kanë mundësinë ta njohin atë me anë të kontakteve të drejtpërdrejta, çështje që Institutet kanë mundësi dhe për detyrë ta zgjidhin.
Më është dhënë mundësia, gjithmonë edhe në sajë të zgjedhjeve të mia të sodisfaksuara, të punoj në vende me interes të jashtëzakonshëm dhe me tradita të mëdha kulturore.
Instituti i parë ku kam punuar ka qenë Nairobi, në Kenya, një nga vendet me peizazhet më të bukura në botë, traditat e të cilit janë shpesh të panjohura për ne.
E përfshirë edhe unë nga “mal d’Africa”- dashuria për Afrikën, kam qëndruar në atë qendër për 12 vjet.
Më pas kam pasur fatin të punoj në një vend ku, që në çastin e parë, historia dhe kultura sulmojnë dhe përfshijnë të huajin: Egjipti.
Për 8 vjet kam punuar pranë Institutit të Kulturës në Kajro, duke qenë në kontakt me një popull që, edhe për nga historia e përbashkët shumë antike, adhuron Italinë dhe gjithçka që ajo shpreh.
Pas kthimit të detyrueshëm në Ministrisë e Punëve të Jashtme, dashuria ime për Egjiptin u shpërblye me emërimin tim në pozicionin e Përgjegjëses së Institutit të Kulturës së Aleksandrisë në Egjipt, ku, falë punës së shkëlqyer dhe vlerësimit të përftuar në Kajro, kam qenë e kërkuar me ngulmim nga Ambasadori i Italisë së asokohe.
Pas 3 vitesh pune në atë qendër, kam kërkuar dhe arritur të shkoja në një vend që më ngjallte shumë kuriozitet: Turqia.
Drejtimi i Institutit të Kulturës në Ankara ka qenë veçanërisht stimulues, edhe falë sintonisë së dukshme e krijuar me atë Ambasadë, ku kam pasur fatin të punoj me dy Ambasadorë të jashtëzakonshëm, vlerësimin dhe mbështetjen e të cilëve e kam përdorur për të krijuar një qendër të re dhe prestigjioze, për të realizuar aktivitete të larmishme dhe intensive dhe për t’i dhënë shtysë të fortë përhapjes së gjuhës italiane që e ka renditur selinë e Ankarasë në dhjetë qytetet e para në botë për nga numri i të regjistruarve në kurset e italishtes. Veçanërisht e kënaqshme është rëndësia dhe vizibiliteti të arritura nga ai Institut në të gjithë vendin, siç, ndër të tjera të njohura zyrtarisht edhe nga Autoritetet dhe Institucionet kulturore te vendit.
Pas një tjetër dyvjeçari në Romë, ku, gjithnjë për llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kam pasur një eksperiencë interesante pune pranë Komisionit Kombëtar UNESCO, erdhi dhe Tirana.
Shqipëria, që nuk njihja, më ka rezervuar surpriza të papritura dhe pozitive.
- Cilat kanë qenë vështirësitë e para dhe a keni gjetur mbështetjen tek institucionet kulturore shqiptare?
Përhapja e habitshme e gjuhës italiane më ka bërë mua të kuptoj sesa i madh ishte privilegji të punoja në Shqipëri. Që në fillim, në fakt, ka qenë e lehtë të krijoja kontakte direkte me intelektualet shqiptare, si edhe të kisha bashkëpunime interesante dhe të qëndrueshme me institucionet më të rëndësishme kulturore , mjaft të interesuara ndaj aspekteve të ndryshme të kulturës italiane.
- Çfarë ndryshimesh konstatoni tani pas 5 vitesh krahasuar me periudhën kur keni mbërritur për herë të parë në Shqipëri?
Që nga ardhja ime në Tiranë në 2006, kam qenë dëshmitare e vrullit pozitiv të përmirësimit të infrastrukturës së vendit, duke ju referuar në veçanti krijimit të një rrjeti rrugor urban dhe ekstraurban, që është baza e zhvillimit të çdo kombi. Rritja e konsiderueshme e autoveturave në qarkullim – aspekt ky, për të tjera motive, jo gjithnjë pozitiv- dhe hapja e një numri të madh baresh dhe restorantesh që, duke shpërblyer karakterin social të shqiptarëve, e gjallërojnë më shumë qytetin, evidentojnë standardin e përmirësuar të jetesës së popullatës.
- Ju keni realizuar një sërë projektesh e veprimtarish të larmishme kulturore-artistike. Para se te flasim për këtë, diçka rreth bashkëpunimit me institucionet tona kulturore dhe me artistet shqiptare.
Sigurisht ka qenë një bashkëpunim interesant dhe i frytshëm që - falë gatishmërisë së të dy palëve - ka bërë të mundur realizimin e veprimtarive të nivelit të lartë dhe me një impakt mediatik të padiskutueshëm, gjithçka kjo në favor të publikut dhe forcimit të lidhjeve intensive që kanë ekzistuar gjithmonë midis dy vendeve.
- Znj. Tibaldi, mes shumë veprimtarive kulturore të organizuara, cilat vlerësoni si më të rëndësishmet në këtë hark kohor?
Të gjitha aktivitetet janë menduar dhe realizuar sipas një dinamike që t’i krijonte mundësinë publikut shqiptar të njihej me më të mirët që ofron kultura italiane. Kjo ka bërë të mundur sjelljen në Tiranë të Artistëve italianë që i përkasin me të drejtë panoramës ndërkombëtare, si Uto Ughi, Andrea Griminelli, Massimo Quarta, Michele Campanella, Bruno Canino, Rocco Filippini, Giorgio Gaslini si dhe shumë të tjerë. Por, pa anashkaluar intelektualët dhe Docentët e mëdhenj të Universiteteve italiane më prestigjioze, ndër të cilët Enrico Crispolti, Gianfranco Pasquino, Matteo D’Ambrosio, Francesco Altimari, Carmine Abate, Norberto Cacciaglia, Pietro Janni dhe shqiptarin Fatos Lubonja që kanë marrë pjesë në aktivetetet e ndryshme të Javëve të Gjuhës italiane nëpër botë.
- Një sërë artistësh italianë si Uggi, Campanela, Grimaldi etj. të njohur në të gjitha kontinentet, janë ngjitur në skenat tona. A ka qenë ky një angazhim i vështirë për Institutin Italian të Kulturës?
Nuk është kurrë e lehtë të organizosh evente të nivelit të lartë. Me qëllim që çdo gjë të shkojë sa më mirë, është e nevojshme të punohet me profesionalizëm dhe përkushtim. Miqësia e thellë dhe sintonia e krijuar me Artistët më të famshëm italian, gjatë bashkëpunimit disa vjeçar, lehtëson në përcaktimin e projekteve. Realizimi i eventeve është bërë i mundur edhe falë punës së punonjësve të Institutit dhe disponueshmërisë për të bashkëpunuar me Institucionet kulturore dhe shtypin shqiptar.
- A e ka vështirësuar situata ekonomike e krizës globale realizimin e aktiviteteve kulturore?
Kriza ekonomike ndërkombëtare ka sjellë shumë shkurtime në bilancin e kulturës nga ana e Qeverisë italiane. Megjithatë është bërë e mundur, falë një menaxhimi të kontrolluar të burimeve financiare, të mbahet ajo cilësi që unë i kisha vënë pikësynim vetes në marrjen e detyrës time këtu.
Znj. Tibaldi, institucioni juaj është shndërruar në një qendër model që rrezaton kulturë, që nga infrastruktura e deri te biblioteka e pasur. Si është bërë e mundur kjo?
Ndërrimi i selisë ishte hapi i parë domethënës për t’u ndërmarrë. Selia e mëparshme, në fakt, ishte pak përfaqësuese dhe jo e rehatshme si për personelin si për publikun, duke konsideruar edhe fluksin e madh të të rinjve të regjistruar në kurset e italishtes, që, në këto pesë vite, ka arritur në 7439 studentë dhe 11341 të regjistruar për provimin e CELI-t të Universitetit të Perugia-s. Bibliotekat e Instituteve të Kulturës, veçanërisht në sektorin e artit, janë pikë referimi në të gjithë vendet e botës. Përhapja e lartë e gjuhës italiane dhe vështirësia e gjetjes së librave në gjuhën italiane në Shqipëri më kanë bërë që të marr ne konsideratë krijimin i një të tille në Tiranë, e cila aktualisht numëron 2910 volume. E njëjta gjë vlen për videotekën me 622 DVD. Duke cituar një fjali të Marguerite Yourcenar, të ngresh një bibliotekë është si të ndërtosh përsëri hambar publik, si të grumbullosh rezerva kundër ftohjes së shpirtit…”.
- Institucioni qe ju drejtoni, së bashku me L’Università per Stranieri di Perugia organizon kurset parapërgatitore për provimin për certifikatën e gjuhës italiane (CELI). Cili është niveli i të rinjve tanë?
Ndjekja nga publiku i gjerë i televizionit italian në Shqipëri ka kontribuar në mësimin e gjuhës tonë, edhe pse shpesh vihen re mangësi në njohjen e duhur të gramatikës, themelore për një përdorim korrekt të gjuhës. Detyrë kjo, që i përket, Institutit.
- Në projektet e shkëmbimeve reciproke bëjnë pjesë edhe bursat e studimit. Cila ka qenë mbështetja për artistët shqiptarë nëpërmjet bursave të studimit?
Instituti i Kulturës, në komision të dhënies së bursave, ka kandiduar, në këto pesë vjet, me periudha 9-mujore në vit për secilin, 3 muzikantë dhe këngëtarë lirikë, të cilët kishin paraprakisht një përgatitje të lartë, me qëllim perfeksionimin e tyre pranë Konservatorëve italianë.
- Veprimtaritë e organizuara nga institucioni juaj, siç janë edhe ato në kuadër të projektit “Italia e Shqipëria 2010: dy Popuj, një Det, një Miqësi”, janë pasqyruar gjerësisht në median shqiptare. Cilat kanë qenë raportet tuaja me përfaqësuesit e medias?
Falënderimi im i madh i shkon shtypit dhe të gjitha televizioneve shqiptare që kanë mbështetur gjithmonë eventet e organizuara nga instituti.
- Pas një përvoje të pasur që është krijuar tashmë, cilat janë projektet në sirtar që mund të marrin jetë në të ardhmen?
Çdo drejtor ka mënyrën e vet personale të të punuarit, si dhe, herë-herë, një vizion të ndryshëm të vendit ku punon. Për sa i përket Shqipërisë, për mendimin tim, personalisht kam punuar sipas parametrave kulturore me interes të përbashkët, të mirë përcaktuar dhe frytdhënës. Të njëjtën gjë, edhe pse e parë ndryshe, do të bëjë edhe pasardhësi im.
- Cili është vlerësimi juaj për artistët shqiptarë?
Shumë artistë shqiptarë kanë studiuar në Itali, ku edhe shpesh kanë qëndruar, duke përftuar vlerësim të lartë nga institucionet më të rëndësishme muzikore italiane dhe, në këtë mënyrë, kanë pasur mundësi punësimi me një pagë të mirë. Të gjithë muzikantët e mëdhenj italianë që kanë ardhur në Tiranë, si Massimo Quarta, Uto Ughi, Michele Campanella, Bruno Canino, Rocco Filippini, si dhe të tjerë, duke evidentuar seriozitetin e dukshëm në studim dhe përgatitjen e veçantë artistike të nxënësve të tyre shqiptarë në Konservatoret ku ata japin mësim, kanë shprehur gjithmonë konsideratën e tyre më të lartë për përgatitjen teknike dhe ndjeshmërinë muzikore të nxënësve, si edhe të kolegëve shqiptarë.
- Ju jeni në përfundim të misionit tuaj në drejtimin e IIC, me çfarë mbresash largoheni nga vendi ynë?
Gjej rastin qe nëpërmjet kësaj interviste, të shpreh afeksionin e thellë për këtë vend, ku kam gjetur vlerësim dhe miqësi nga shumë njerëz. Është detyrë imja të falënderoj mbi të gjitha publikun e ngrohtë shqiptar, i cili duke mbushur sallat, ka dekretuar gjithmonë suksesin, si dëshmi e aktiviteteve të organizuara nga Instituti i Kulturës, të Artistëve të mëdhenj italianë që ne kemi sjellë në Shqipëri.