E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, abuzimet me emërimet, "fshesë" infermiereve

Nga Esmeralda Keta
Bëhet fjalë për infermieret që janë emëruar gjatë 2007-ës, si dhe gjatë muajve të fundi në QSUT. Drejtoresha Kuli pretendon se është abuzuar me këto emërime duke e fryrë së tepërmi strukturën e QSUT-së. 

TIRANE- Emërimet pa kriter të infermiereve që janë bërë gjatë vitit 2007 dhe gjatë muajve të verës kur QSUT-ja drejtohej nga Mati Pepa do të kalojnë në sitë. Drejtoria e përgjithshme e QSUT ka deklaruar se do të nisë fshesën për të gjithë infermieret e pavioneve, të cilat janë emëruar nga ish-drejtori Mati Pepa, në kundërshtim me rregulloren e re të ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu do të ketë rishikim strukture edhe për mjekët, të cilët do të rishpërndahen nëpër shërbime të ndryshme. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, ka deklaruar se shkurtimi i 112 sanitareve ishte i padrejtë, ndaj ata do të rimerren në punë me kontratë të përkohshme.
Struktura e re
Viti 2007 si dhe gjysma e 2008-ës është shoqëruar me emërime të shumta në QSUT, gjë e cila ka sjellë edhe një fryrje të saj. Dhe kjo është më e dukshme në personelin infermieror. Drejtoresha e Qendërs Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Gjeorgjina Kuli, ka deklaruar se do të rishikojë një për një të gjithë emërimet e bëra gjatë kësaj periudhe. "Bëhet fjalë për emërimet e vitit 2007, ku kryesisht janë marrë më shumë infermiere nga çduhet, - ka shpjeguar drejtoresha e QSUT-së, Kuli. - Ato që janë emëruar të fundit do shkurtohen pasi ka fryrje strukture". Drejtoresha Kuli ka deklaruar se rishikim strukture do të ketë dhe për personelin e mjekëve. "Rishikim strukture do të ketë edhe për mjekët, - ka shpjeguar drejtoresha e qendrës spitalore. - Për mjekët do të bëhet rishpërndarje dhe jo shkurtime, pasi aktualisht ka një shpërndarje jo të mirë të bluzave të bardha. Disa shërbime kanë pak mjekë e disa të tjerë janë të mbipopulluar", - ka sqaruar ajo. Gjithashtu një tjetër kategori që do të rishikohet me strukturën e re të QSUT-së do të jenë edhe sanitaret. Por ndryshe do të procedohet me këtë kategori, më pak e paguara, por më e nevojshme aktualisht në QSUT. Për drejtoreshën Gjeorgjina Kuli, vendimi për shkurtimin e 112 sanitareve nga ish-drejtori Mati Pepa ishte i nxituar. "Unë mendoj se vendimi për t'i pushuar nga puna sanitaret ishte i nxituar. Praktikisht ato që janë pezulluar do merren sërish në punë, me kontratë të përkohshme, dhe, deri në rishikimin final të strukturës do shihen vendet që mund t'u hapen", - ka deklaruar Gjeorgjina Kuli. Struktura e re e QSUT-së do të jetë gati në fillim të vitit 2009. Sipas drejtoreshës Kuli, me nisjen e reformës së re për financimin e shërbimeve shëndetësore nga ISKSH-ja, kjo strukture do të jetë në harmoni me kërkesat që parashikon dikasteri i Shëndetësisë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›