E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caktohen 8 poligonet për demontim

Qeveria ka caktuar tetë poligone për asgjësimin e municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes ka mbërritur dje në Kuvend dhe pritet që këtë javë të nisë diskutimi i tij nëpër komisionet parlamentare.

Në projektligj, ministria ka përcaktuar vendet se ku do të asgjësohen municionet. Ata do të jenë në Pukë, poligoni Livadhet e Hamzit, në Bizë, poligoni Shën Noi Madh, në Librazhd, poligoni Zgarë, në Gramsh, poligoni i Shën Mirës, në Skrapar, poligoni Përroi i Bigazit, në Voskopojë, poligoni Fushë Roshaj, në Këlcyrë, poligoni i Trajlarit dhe në Sukth të Durrësit poligoni Jubë.

Në nenin pesë të projektligjit, thuhet se sipërfaqja e territorit të poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura gjatë periudhës së asgjësimit të tyre, do të administrohen nga Ministria e Mbrojtjes. Sipërfaqja e tokës së poligonit që nuk është pronë shtetërore, do të merret për nevoja të asgjësimit të municioneve në përdorim të përkohshëm.

Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes, për nevoja të asgjësimit të municioneve, mund të marrë në raste të veçanta me përdorim të përkohshëm, një sipërfaqe jashtë territorit të poligoneve të përcaktuara në këtë ligj.

Për funksionimin dhe administrimin e poligoneve, Ministria e Mbrojtjes miraton rregulloret përkatëse të propozuara nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-së.

Sipas këtij projektligji, ndërtimi i objekteve ushtarake të përkohshme dhe të përhershme brenda territorit të poligoneve dhe brezit të sigurisë bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm me miratimin paraprak të ministrit të Mbrojtjes.

 Dikasteri përgjegjës, për nevoja të asgjësimit të municioneve përcakton rajone tokësore, hapësira detare e korridore ajrore të kufizuara përkohësisht për qarkullim, lundrim, fluturim, gjueti e çdo veprimtari tjetër që krijon premisa për shkaktim dëmi, duke njoftuar 30 ditë përpara me shkrim organet përkatëse.

Në projektligj janë vendosur vendet e ndaluara për realizimin e asgjësimit të municioneve. Sipas projektligjit, ndalohet realizimi i asgjësimit të municioneve në det, jashtë kufirit shtetëror dhe jo më afër se 4 km nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës nga qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, monumentet e natyrës dhe ato të kulturës, si dhe në zonat e tyre të mbrojtura në korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil, në hapësirat ajrore të vendit.

Për dëmet e shkaktuara si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve kompensohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sipas marrëveshjes, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara. Nëse konflikti nuk zgjidhet me marrëveshje, palët i drejtohen gjykatës.

Dëmet që i shkaktohen mjedisit si pasojë e asgjësimit të municioneve luftarake, rimbursohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Njësitë përkatëse të FA-së, 30 ditë përpara zhvillimit të asgjësimit të municioneve, njoftojnë organet e qeverisjes vendore në territorin e të cilave shtrihet poligoni.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›