E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec Kodi Zgjedhor, PS e PD pa konsensus

Negociatat mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Kodin Zgjedhor kanë ngecur.

Burimet nga të dyja kampet sqarojnë për gazetën “Shqip” se nuk ka konsensus të plotë për draftin e hartuar.

Ndonëse është gjetur gjuha e përbashkët për shumicën e neneve, ka ende disa pika, për të cilat qëndrimet janë të ndryshme.

Këto konsiderohen arsyeja se pse po pengohet firmosja e kodit të ri zgjedhor brenda muajit tetor, siç ishte paralajmëruar dhe premtuar.

Sot dhe nesër është parashikuar të negociohet, në të kundërt do të kërkohet shtyrja e mandatit të komisionit të paktën edhe për një javë të muajit të ardhshëm.  

Bllokimi

Kur çdo gjë pritej të konkretizohej, diçka ka ndryshuar. Hedhja e firmës duket ende e papërcaktuar dhe PS e PD do t’u drejtohen negociatave të tjera.

Burimet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Zgjedhore sqaruan se sot dhe nesër pritet të kryhen takime në nivel ekspertësh, sa u takon pikave të diskutueshme.

Në rast se nuk do të arrihet të sheshohen diferencat, do duhet të kërkohet një shtyrje tjetër e mandatit të komisionit.

Po sipas burimeve, kjo shtyrje mbase do të kërkonte një mandat tjetër njëjavor, për të mundësuar votimin e kodit të ri në parlament në muajin nëntor.

Prej dy-tre ditësh është pritur që ekspertët e dy palëve të ulen për të paraqitur versionet e konsensusit për pikat që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.

Çështje kjo tejet delikate, që ndan natyrshëm dy palët në qëndrimet e tyre. Ajo çka është e qartë ka të bëjë me reduktimin e numrit të këtyre komisionerëve, por mbeten palët e ndara sa i takon përbërjes.

Socialistët patën insistuar te komisionerët jo politikë ose në rastin më të keq një zgjidhje të mesme.

Duke u deklaruar krejt kundër idesë se ata që do administrojnë proceset do jenë njerëz partiak. Një tjetër çështje, që pretendohet të jetë objekt i diskutimeve, ka të bëjë me çështjen e ankimimeve.

Ecejaket  

Në momentin kur u firmosën dispozitat kalimtare për zgjedhjet e pushtetit lokal, në vitin 2007, u premtua një ndërhyrje e shpejtë dhe e plotë në kuadër të reformës zgjedhore.

Partitë u angazhuan të bëjnë “operacionin” sa më shpejt për të garantuar një herë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.

Por, në këtë tentativë, rruga do të ishte shumë e çoroditur, por jo e papritur për publikun shqiptar. Parlamenti arriti shumë vonë të ngrinte një komision të posaçëm të reformës zgjedhore, por që nuk arriti të zhvillonte asnjë mbledhje në mandatin e parë.

Më tutje, puna e tij u shty në disa momente, duke krijuar idenë se nga çështja e reformës do të kryhej në kohë. Në fund të tetorit skadon afati i radhës i këtij komisioni dhe duket se nuk do mund të ketë një produkt.

Mbase mesi i muajit nëntor mund t’u japë shqiptarëve, nëse ekziston vullneti politik, ligjin e ri elektoral. Në mbledhjet e kryera deri më tani është deklaruar se dy partitë e mëdha kanë rënë dakord për pjesën më të madhe të kodit të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›