E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vende parkimi me autorizim për invalidët dhe shoqëruesit e tyre

Bashkia e Tiranës ka vendosur 35 vende parkimi me një dhe dy vende, për mjetet udhëtuese të invalidëve dhe shoqëruesve të tyre. Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara konsiderohet si një nga handikapet e shoqërisë sonë. Në vazhdë të kësaj, në qytetin e Tiranës, me përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, bashkia ka krijuar edhe këto vende të veçanta parkimi, për të cilat do të lëshohen edhe autorizime të posaçme, prej strukturave të saj.

"Duhet të themi se krijimi i kushteve dhe i lehtësive për personat me aftësi të kufizuar është parë nga Bashkia e Tiranës që në krye të herës, si pjesë integrale e investimeve të saj. Mjafton të kujtojmë rikonstruksionin e godinës qendrore të Bashkisë së Tiranës, si i pari institucion publik që siguroi akses për personat me aftësi të kufizuar dhe mjetet e tyre", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, lidhur me trajtimin e kësaj kategorie qytetarësh.

Sipas tyre, nisur nga kjo filozofi, sapo ka përfunduar nga Sektori i Licencave pranë bashkisë, procedura për pajisjen me autorizim të invalidëve dhe shoqatave të tyre, për parkimin në vendet e caktuara nga Bashkia e Tiranës.

Procedura konsiston në pajisjen me autorizim të invalidëve që shoqërohen nga persona të tretë, automjetet e të cilëve nuk ka rëndësi se në pronësi të kujt janë, por mjafton fakti që shoqëron invalidin, pajisjen me autorizim të shoqatave që shoqërojnë invalidët, automjetet e të cilave duhet të jenë në pronësi ose bashkëpronësi të shoqatës.

Të dyja grupet e mësipërme, pas pajisjes me autorizim kanë të drejtë të parkojnë mjetet në vendparkimet e rezervuara, pa pagesë dhe pa kufizim në kohëzgjatje.

Vendparkimet e instaluara në qytet për personat me aftësi të kufizuar janë vendosur në bashkëpunim me Shoqatën e Invalidëve, pranë spitaleve, kinemave në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe vende të tjera, të cilat janë më të frekuentuara nga ata.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›