E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT-ja, 80 milionë lekë borxh që nga viti 2001



Emanuela Sako
Spitalet e vendit janë të mbytur në borxhe, gjë që bën që qeveria të ndërmarrë një vendim të menjëhershëm në mënyrë që të mos bëhet pengesë për shtrirjen e skemës së sigurimeve në të gjitha spitalet e vendit. QSUT-ja ka 80 milionë lekë borxh, duke nisur që nga viti 2001. Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se ende nuk është përcaktuar një mënyrë se si do të procedohet me likuidimin e borxheve, që pengojnë ecurinë e punës në spitale. QSUT-ja do të bëhet më vonë se spitalet e tjera pjesë e reformës për shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore. Kjo për arsye se QSUT-ja është Qendër Spitalore Universitare dhe nuk mund të trajtohet njëlloj si spitalet e tjera. Borxhet në të gjitha spitalet e vendit kanë ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të fondeve, të cilat janë shtuar nga viti në vit. Në një përllogaritje të thjeshtë, jopërfundimtare, borxhet kapin vlerën e 640 milionë lekëve në të gjitha spitalet.
Ministria
Përsa u përket faljes së borxheve, tashmë pritet versioni që do të japë qeveria, e cila duket se nuk ka vendosur ende një mënyrë procedimi. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se do të jetë qeveria ajo që do të vendosë për larjen e shumës së madhe të borxheve që kanë spitalet dhe aktualisht vazhdojnë diskutimet mes dy institucioneve për të gjetur një zgjidhje. Ndërkohë, do të bëhet një bilanc i saktë i borxheve që ka çdo spital dhe në përfundim të kësaj përllogaritjeje do të vendoset gjithçka. Institucionet shëndetësore raportojnë se borxhet janë të akumuluara ndër vite. Prej 18 vitesh, spitalet punojnë me borxhe. ISKSH-ja sqaron se ajo që dihet deri tani është se borxhet nuk do t’u ngelen as spitaleve dhe as ISKSH-së, në mënyrë që shtrirja e skemës të mos pengohet nga kjo situatë.
Reforma
Tashmë ka nisur faza e parë e shtrirjes së Skemës së Sigurimeve Shëndetësore në të gjitha spitalet e vendit. ISKSH-ja do të financojë një paketë shërbimesh për ato spitale me të cilat do të lidhë kontrata. Në një fazë të dytë do të shihet nëse do të ketë zgjerim të kësaj pakete për të gjithë ata që paguajnë sigurime shëndetësore. Pavarësisht tarifave të ndryshme, shërbimet do të jenë të njëjta. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, shpjegoi dy ditë më parë mënyrën se si do të bëhet kjo reformë. Sipas saj, brenda muajit mars do të lidhë kontratat e para me spitalet publike. Fillimisht drejtorët e spitaleve do të lidhin kontrata me të gjithë punonjësit. Me këtë mënyrë procedimi do të arrihet autonomia e spitaleve ku do të shënohet dhe faza e parë e reformës spitalore, e cila do të monitorohet nga ISKSH-ja. Hana ka siguruar se pacientët nuk do të kenë më mungesa medikamentesh në spitale. Tashmë problem mbeten borxhet e mëdha që kanë spitalet dhe shlyerja e tyre para se të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Ministria e Shëndetësisë, brenda korrikut 2009, duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim.

Qendra e Barnave, nismë për raportimin e efekteve anësore të barnave
Pacientët dhe mjekët do të jenë në dijeni të efekteve anësore të mjekimeve që do të marrin në spitale. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB) ka nisur zbatimin e një nisme të re, e cila synon informimin për pacientët, mjekët, spitalet dhe qendrat shëndetësore mbi efektet anësore të mjekimeve të ndryshme. Gjithçka do të jetë e detajuar dhe e hartuar nga ekspertë të shëndetësisë, të cilët do të vënë në dijeni publikun. Njëkohësisht, për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë pacientëve që bien pre e problemeve me barnat, kjo qendër ka vendosur disa rrugë komunikimi me specialistët. Burime nga QKKB vënë në dispozicion të këtyre grupeve një numër telefoni 23 76 045 dhe një adresë e-mail për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre. Kjo nismë ndërmerret në vijim të hapave të para në fushën e farmakovigjilencës për zbatimin në Shqipëri dhe është në përputhje me direktivat më të fundit të BE-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas specialistëve farmaceutikë, krijimi i një qendre farmakovigjilence për herë të parë në Shqipëri do të ndihmojë në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe të gjitha problemeve që lidhen me konsumimin e barnave. Farmakovigjilenca është një shkencë relativisht e re, që po ndikon ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, pasi barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin vdekjen.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›