E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështje pushteti apo morali politik?!

Skënder Minxhozi 

Para pak ditësh kreu historik i Partisë Republikane, Sabri Godo, na kujtoi publikisht se në qeverinë aktuale mungon një ministër i partisë së tij. Zoti Godo nuk harroi madje as të vendosë një datë-ultimatum (për kryeministrin, kuptohet), e cila duhet të jetë fundi i muajit korrik, rreth përfshirjes të një zyrtari të PR në kabinet. Pra, Godo i jep më në fund zë publik një kërkese që mesa duket përjetohet si e drejtë dhe legjitime brenda partisë që deri dje kishte në zotërim dikasterin e mbrojtjes.
Larg çdo retorike dhe abuzimi me deklaratën e Sabri Godos, e cila në vetvete duhet marrë si pjesë e një logjike politike, ka megjithatë më shumë se një arsye për ta ...parë disi me habi kërkesën e PR-së për t'u përfshirë sërish në qeveri, jo më në rangje të dyta dhe të treta, siç ndodh aktualisht qëkurse Mediu dha dorëheqjen, por në nivel ministri. Deri më sot Sabri Godo dhe pas tij e gjithë struktura drejtuese e PR, kanë mbajtur një qëndrim konservativ-frenues në lidhje me Gërdecin dhe tragjedinë që ai shkaktoi. Kjo mund të thuhet po të shihet kronologjia e qëndrimeve të kësaj partie jo vetëm në lidhje me dinamikën e tragjedisë dhe hetimit të saj, por më së pari në lidhje me çështjen e lidershipit të partisë. PR-ja ka zgjedhur deri më tani që të mos ndërmarrë asnjë hap për të vënë në diskutim kryesimin e partisë nga zoti Mediu. Formalisht kjo kërkesë duket se justifikohet me faktin se vetë ish-ministri i Mbrojtjes është ende nën hetim, pra edhe i prezumuar si i pafajshëm në gjithë historinë e papastër të Gërdecit. Nga ana tjetër, ai element i evokuar shumë herë pas 15 marsit dhe që ka të bëjë me përgjegjësinë politike e morale të një force politike, ndoshta do të sugjeronte një qëndrim tjetër nga ai i sotmi. Gjithsesi ky është një pozicion që s'duket se shfaq ndonjë plasaritje së jashtmi, të paktën për momentin dhe PR-ja mesa e ka marrë parasysh faturën politike që do t'i duhet të paguajë eventualisht. Diçka tjetër duket se është ndërkaq rikthimi i përfaqësimit të kësaj force politike në qeveri, vetëm pak muaj pas asaj që ndodhi. Këtë mesa duket e ka të qartë edhe vetë Berisha, i cili sheh sesi Gërdeci po vijon të mbetet një gozhdë e pashkulur në politikën shqiptare. Hezitimi i tij, përkundër kërkesave të republikanëve, mesa duket ka të bëjë me faktin se ai po përpiqet t'i mbajë sa më larg aleatët e tij, të "damkosur" tashmë në një farë mënyre nga rrjedha e ngjarjeve.
PR u përfshi jo pa arsye më shumë se të tjerat nga vala goditëse e shpërthimit të Gërdecit. Kjo forcë politike më së shumti u pa si bartësja e pasojave politike, e pse jo ligjore, të tragjedisë së 15 marsit, pasi kreu i saj ishte zyrtari që u përfshi në rreshtin e parë të hetimeve mbi ngjarjen. Shpërthimi i Gërdecit zyrtarizoi në qeverinë Berisha, dorëheqjet ministrore për shkak të përgjegjësisë politike dhe morale. Të paktën kështu lexohej ikja e Mediut në momentin kur ajo ndodhi.
Ajo që po ndodh sot, përfshirë kërkesën publike të përsëritur të Sabri Godos, duket si një akt i pastër amnezie politike. Jo më i një personi, qoftë ky edhe i vjetër në moshë, sesa i një force politike. Ultimatumi i kryetarit honorifik të PR pason disa kërkesa nën zë që eksponentë të kësaj partie kanë bërë deri më sot për të rikthyer në pikën fillestare të 3 korrikut përfaqësimin politik të PR në kabinetin Berisha. Një zv.ministër republikan nuk priti madje as që të mbushet java nga shpërthimi i Gërdecit, për të reklamuar zëvendësimin e Mediut me një tjetër portofol në qeveri. Një qëndrim i tillë është jo vetëm jashtë kohe, por edhe jashtë logjikës së dhimbjes për një tragjedi që vazhdon të ketë një jehonë të fortë brenda dhe jashtë vendit. Të pretendosh pushtet në këto kushte, do të thotë të kesh pak ose aspak vetëdije për atë që ke lënë pas shpine.
Një ministër i PR në këtë moment është në këto kushte një operacion i kotë politik, për PD dhe kreun e saj, por edhe për vetë PR. Çfarë i duhet kabinetit Berisha dhe vetë kryeministrit aktual një ministër i një aleati kaq të sikletshëm në këtë moment? Po vetë republikanëve çfarë u duhet një poltron i tillë në kushtet kur ende të pastrehët e Gërdecit janë rrugëve dhe kur kjo lëvizje mund të zgjojë jo pak pikëpyetje dhe reagime tek njerëzit që shohin dhe dëgjojnë sesi një parti e përfshirë nga një histori e tillë tragjike, ngre zërin sot për t'u futur me çdo kusht në qeveri?! E megjithatë ndoshta këto pyetje kanë vlerë për një tjetër mjedis, nga ai i politikës shqiptare, ku prej kohësh qëllimi justifikon çdo lloj mjeti. Përfshirë edhe cinizmin më ekstrem!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›