Dy inspektimet e dështuara të MEICO-s në Gërdec
TIRANË- Zyra e drejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme, gjatë ditës së djeshme është “vizituar” nga dy ushtarakë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Dashnor Çaushaj dhe Sokol Ngjeçi, me kërkesë të grupit të prokurorëve kanë dhënë shpjegime të hollësishme për disa orë, për tragjedinë e Gërdecit. Paraditen e djeshme, edhe pse ditë pushimi për administratën shtetërore, prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit kanë urdhëruar thirrjen e ish-drejtorit të Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, nënkolonel Dashnor Çaushajt, për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit nën hetim. Po me këtë cilësi, prokuroria ka thirrur për të dëshmuar edhe inspektorin e MEICO-s, Sokol Ngjeçi, që kishte për detyrë mbikëqyrjen e fabrikës së çmontimit të fishekëve në Gërdec.
Sipas burimeve pranë organit qendror të akuzës, mësohet se dy personat nën hetim janë marrë në pyetje nga prokurorë dhe oficerë të ndryshëm, por në të njëjtën kohë. “Ish-drejtori i Logjistikës, nënkolonel Dashnor Çaushaj, gjatë deklarimeve të tij ka shpjeguar urdhrat e firmosur prej tij, për transportimin e municioneve nga depot ushtarake në drejtim të punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec. Ai ka shpjeguar edhe sasitë e municioneve të dala nga repartet e tjera ushtarake, që janë dërguar në drejtim të fshatit Gërdec për çmontim”,-thuhet nga burimet. Ndërkohë, këto burime sqarojnë se Çaushaj ka dhënë shpjegime edhe për mënyrën e vendosjes dhe ruajtjes së municioneve gjatë transportimit, ku ka shpjeguar me hollësi rregulloren, që sipas tij e ka zbatuar në këto raste transportimi. Ndërkohë, inspektori i MEICO-s, Sokol Ngjeçi, gjatë dëshmisë së tij, ka ritheksuar edhe njëherë inspektimet e tij të kryera në vendin e çmontimit të municioneve në Gërdec, detyrë të cilën ia kishte ngarkuar drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, që tashmë ndodhet në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Gjatë dëshmisë së tij, shtetasi Sokol Ngjeçi ka shpjeguar edhe njëherë para prokurorisë zbatimin e urdhrit të lëshuar nga drejtori i tij, Ylli Pinari, mbi inspektimin e ish-repartit ushtarak në Gërdec, të kthyer në fabrikë çmontimi të municioneve. Ai ka shpjeguar se gjatë periudhës gati njëvjeçare në fabrikën e çmontimit të municioneve kishte shkuar vetëm dy herë për inspektim. Herën e parë, kishte shkuar në darkë, kur nuk kishte asnjë punëtor dhe që kishte gjetur rojën private duke fjetur dhe herën e dytë nuk ishte lejuar të hynte brenda, pasi aty ndodheshin punëtorët duke punuar”,-mësohet të ketë thënë Ngjeçi me cilësinë e personit nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Gjithashtu, mësohet se pyetja e tyre mund të përsëritet sërish, nëse gjatë fazës së hetimeve zbulohet ndonjë element tjetër i ri për ngjarjen e 15 marsit të këtij viti, kur fabrika e çmontimit në Gërdec shpërtheu. Ndërsa grupi hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka marrë në pyetje gjatë këtyre ditëve edhe funksionarë të lartë të Forcave të Armatosura pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe punonjës e ish-punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se seancat e pyetjeve të tyre janë fokusuar në disa drejtime: për vendimmarrjen e vendosjes së fabrikës në Gërdec, kontratat me kompaninë që administronte fabrikën, kontrollin e saj, municionin luftarak që gjendej atje, etj. Po ashtu, grupi hetimor i ka dhënë rëndësi të madhe edhe mbledhjes së të dhënave në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të shpërthimit, ku këqyrja e zonës po realizohet në bashkëpunim me gjashtë ekspertë amerikanë të ardhur vetëm pak ditë nga SHBA-ja në ndihmë të ekspertëve vendas.
DEPOT QË FURNIZUAN GËRDECIN
Sinanaj, në Fier
Depoja e Krujës
Vërtop, në Berat
Dhëmblan, në Tepelenë
Shmil, në Elbasan
Labinot, në Elbasan
Melgush, në Shkodër
Macukull, në Mat
Lozhan, në Korçë
Bigaz, në Skrapar
Depoja e Ndroqit
Gjegjan, në Kukës
Qafë-Shtamë, në Burrel
Qafë-Mollë, në Tiranë
Bratil, në Gramsh
Mirakë, në Elbasan
Mbrezhdan, në Përmet
Bushat, në Shkodër
Zall-Herr, në Tiranë
Depoja e Laçit
KMR e Korçës
Depoja e Voskopojës