Kasimis: Statut të ri për OMONIA-n
GJIROKASTËR- Vizita 3-ditore e zëvendësministrit të jashtëm të Greqisë, Theodhoros Kasimis është mbyllur me takime me anëtarë të këtij komuniteti në Dropull, përkatësisht në fshatrat Bularat dhe Dervician. I shoqëruar nga ambasadori i Greqisë, i akredituar në Tiranë, Kostantinos Karkabasis dhe konsulli grek në Gjirokastër Kristos Mandellos, zyrtari i lartë Helen ka folur më banorët e zonës. Organizata OMONIA, investimet dhe tekstet në gjuhën greke kanë qenë në qendër të fjalës së Kasimin në dy ndalesat e radhës dhe të fundit. Gjatë këtyre takimeve, Kasimis ka kërkuar nga të gjithë minoritarët, pavarësisht anëtarësimeve të tyre në forca të ndryshme politike, si Partia Socialiste apo edhe PBDNJ-së pjesëmarrjen e domosdoshme në të vetmen organizatë që mbron të drejtat e tyre, Bashkimin Demokratik Grek, OMONIA, duke deklaruar se kjo është e vetmja mënyrë që komuniteti helen në zonën e jugut, të gjejë veten në lëvizjen e themeluar 17 vjet më parë. Njëkohësisht, zv/ministri grek Kasimis ka vlerësuar kontributin e OMONIAS në periudhën 17-vjeçare, por njëkohësisht ka vënë në dukje gabimet e trashëguara të cilat kanë sjellë përçarje në të vetmen organizëm që mbledh grekët e Shqipërisë. Për këtë madje Kasimis ka kërkuar krijimin e një statuti të ri të organizatës, me qëllim implementimin e politikave dhe sfidave të reja që ka para në kushtet e tashme. Forcimi i OMONIAS për zv/ ministrin e jashtëm grek, do të eliminojë mosmarrëveshjet brenda organizatës, të cilat kanë lindur si pasojë e luftës për pushtet mes dy grupeve rivale.
Një tjetër kërkesë ka qenë ajo e më shumë investimeve në njësitë e qeverisjes vendore, që drejtohen nga minoritarët, në mënyrë që të kthehen të gjithë ata banorë të këtyre zonave, që aktualisht ndodhen në Greqi e që kanë dëshirë të rikthehen në atdhe. “Kemi nënshkruar marrëveshjen me qeverinë shqiptare për 7 vitet e ardhshme për botimin e teksteve në gjuhën greke”, është shprehur më tej Kasimis.