QSUT, mjekë australianë për ndërhyrjet e vështira
Një grup mjekësh australianë, urologë dhe kardio-kirurgë, do të vijnë në dhjetor të këtij viti në vendin tonë, për të kryer një sërë ndërhyrjesh të vështira në spitalin “Nënë Tereza”. Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Saimir Ivziku, ka pritur në një vizitë zyrtare ambasadoren e re të Australisë, Jenny Polyxeni Bloomfield, rezidente në Athinë. Gjatë vizitës, ambasadorja e Australisë ka pohuar se ajo do të kthehet sërish në Tiranë, me ekipin e mjekëve për operacionet e vështira. “Ne kemi dy eksperienca me vendin tuaj, pikërisht me QSUT, ku mjekët tanë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në vitin 1994 dhe janë rikthyer sërish më 2011, për operacionin e një vajze të re. Këta mjekë do të rikthehen edhe gjatë muajit dhjetor për të tjera intervente”, - ka pohuar ambasadorja e Australisë, Jenny Polyxeni Bloomfield. Gjatë bisedës drejtori i QSUT e ka njohur ambasadoren për vënien në punë të telemjekësisë vetëm gjatë ditëve të fundit dhe u ra dakord që të dy shtetet të kenë marrëdhënie bashkëpunimi për konsulta online. Po kështu, u ra dakord edhe për binjakëzimin e QSUT-së me një prej spitaleve terciare në Australi, si dhe bashkëpunim për edukimin profesional të mjekëve si dhe ndihma në aparatura dhe medikamente.