E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, katolikët pro, nëse motivet janë të pastra

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-09-2011 12:21

Përfaqësuesit e komunitetit të dytë fetar më të madh në vend, atij katolik, shprehen se janë pro regjistrimit të popullsisë, nëse motivet janë të pastra. Vetëm dy ditë para nisjes së regjistrimit të popullsisë, mbi deklarimin e fesë dhe etnisë, Kisha Katolike e shikon si një proces normal. Imzot Rrok Mirdita shprehet se për katolikët deklarimi i fesë nuk është shqetësim nëse motivet janë të pastra. Por nga ana tjetër, ai thotë se nuk pajtohet me një proces që bëhet për interesa të caktuara politike apo ekonomike. Këto deklarata për Censusin, kreu i Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Rrok Mirdita, i bëri dje, gjatë një konference të Asamblesë së Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Europiane, e cila mbahet për herë të parë në Tiranë. Në këtë konferencë ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shprehu atyre mirëseardhje të përzemërt dhe falënderime që zgjodhën Tiranën për mbajtjen e kësaj konference. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Monsinjor Rok Mirditës për zhvillimin e këtij takimi në Tiranë, kryeministri Berisha theksoi se në historinë e gjatë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe Kishës, shqiptarëve dhe Vatikanit, ngjarja e sotme, pas vizitës së Papa Gjon Pali II në prill të vitit 1993, është ngjarja më e rëndësishmja.

Më tej, kryeministri Berisha u shpreh shqiptarët këto 19 vite në rrugën e lirisë nuk kanë pasur një udhëtim të lehtë, por garantoi se ritmet e ndryshimit të vendit janë më të shpejtat që mund të jenë regjistruar ndonjë herë. “Tetëmbëdhjetë vjet më parë të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, ndërsa sot janë rreth 8 000 dollarë. Shqiptarët, të lirë dhe me besim të madh te Zoti, te Krishti, te Muhamedi, te vetja, kanë bërë që ky vend të ndryshojë me shpejtësinë më të madhe. Vendi ka një projekt, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne punojmë me përkushtim të madh për shndërrimin në realitet të këtij projekti, si e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - tha Kryeministri.

Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Europiane i zhvillon punimet e saj çdo vit në një kryeqytet europian e këtë vit është zgjedhur Tirana, me propozim të Arkipeshkvit Metropolit të Tiranë-Durrës dhe njëkohësisht presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita. Qëndrimi neutral i Kishës Katolike për deklarimin e fesë në regjistrimin e popullsisë, nuk është i njëjtë me atë të komunitetit më të madh fetar për nga numri i besimtarëve, që është ai mysliman. Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, gjatë mbledhjes së fundit u shpreh se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk i shërben integritetit dhe stabilitetit social dhe politik në Shqipëri. Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman i bëri thirrje organeve kompetente që në formularin e regjistrimit të popullsisë të hiqen pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë. Këto qëndrime të kundërta të dy komuniteteve fetare për të njëjtin proces pritet të ngjallin të tjera debate gjatë zbatimit të procesit të regjistrimit në praktikë, pasi nuk dihet nëse besimtarë myslimanë do ta deklarojnë fenë e tyre në formular dhe se çfarë pasojash do të sjellin këto zhvillime në bashkëjetesën fetare në vendin tonë. Për këtë çështje, pak kohë më parë janë shprehur edhe studiues të huaj, të cilët paralajmëruan se regjistrimi i popullsisë në vendin tonë nuk duhet të bëhet sipas fesë dhe etnisë, pasi vetëdeklarimi i besimit fetar do të sillte pasoja të rrezikshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›