Arrestimet disiplinojnë mjekët, zhduken ankesat për mitmarrje
Në zyrën e Antikorrupsionit, pas arrestimit të mjekëve, nuk ka pasur asnjë ankesë nga pacientët. Luka: Më parë kishim çdo ditë ankesa
QSUT
Arrestimi i tre mjekëve në një periudhë të shkurtër kohore, ka sjellë një fenomen të rrallë në zyrën e Antikorrupsionit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Si asnjëherë më parë, gjatë kësaj periudhe kohore, pacientët nuk kanë bërë asnjë denoncim për arrogancë të mjekëve ndaj tyre, apo për mitmarrje. Specialistja e kësaj zyre, Erida Luka, pohon për gazetën se, para se të ndodhnin arrestimet, shumica e ankesave të pacientëve ishin pikërisht ndaj mjekëve, ndërsa tani, këto ankesa kanë një karakter krejtësisht tjetër. Por çfarë ka ndikuar në zhdukjen e këtyre ankesave?.. Është frika, apo ndërgjegjësimi i mjekëve për të mos përfituar në kurriz të pacientëve.
Ankesat
Nëse muaj më parë zyra e Antikorrupsionit në QSUT priste çdo ditë ankesa ndaj bluzave të bardha, tashmë këto ankesa duket se janë asgjësuar. Ky fenomen po vihet re pikërisht pas arrestimit të 3 kirurgëve të këtij spitali, ku ndalimi i tyre u bë me bujë nga forcat e rendit, duke i bërë edhe publike rastet. “Është vërtet për t’u habitur se numri i ankesave për korrupsion, arrogancë apo për neglizhencë të detyrës së bluzave të bardha, ka rënë në maksimum. Nëse muaj më parë, çdo ditë kishte ankesa të pacientëve ndaj mjekëve, prej muajsh, në dyert e kësaj zyre nuk ka pasur asnjë ankesë të këtij karakteri”,- pohon Erida Luka, duke shtuar se më parë ka pasur rreth 20 ankesa në muaj ndaj mjekëve. Ndërsa tashmë, të gjitha ankesat që depozitohen në zyrën e korrupsionit, sipas specialistes Luka, janë vetëm ankesa për mungesë të medikamenteve apo për mungesa të kiteve për analiza. Në këto raste mjekët i drejtojnë vetë pacientët pranë drejtorisë së spitalit për të bërë ankesat ndaj këtyre mangësive, pasi ata nuk kanë asgjë në dorë për t’i ndihmuar. “Mund të them se për këto mangësi kemi çdo ditë 5 apo 6 ankesa në ditë, por duke qenë se mjekët nuk ndihen fajtorë për këto çështje, i drejtojnë pacientët në drejtori”,- pohon Luka.
Arsyet
Frikë apo ndërgjegjësim i bluzave të bardha për të mos abuzuar më mbi kurrizin e pacientëve. Në fakt, specialistët e zyrës së Antikorrupsionit nuk dinë të shpjegojnë me saktësi fenomenin e zhdukjes së ankesave pranë kësaj zyre ndaj bluzave të bardha, por ata japin disa mendime në lidhej me këtë. “Ndoshta mjekët kanë frikë nga arrestimet, pasi këto ankesa nuk bëhen më pikërisht pas arrestimit të 3 mjekëve. Madje, mendojmë se kjo mund të jetë arsyeja kryesore, por saktësisht nuk mund ta themi, pasi kjo nuk është e verifikuar me fakte”,- pohon specialistja Erida Luka, duke shtuar se arsye tjetër mund të jetë edhe ndërgjegjësimi i bluzave të bardha, por kjo e fundit mbetet hamendësim, pasi nuk mund të jetë fort bindëse.
Shefat: Drejtoria në çdo mbledhje thotë se policia po heton
Kemi informacione se policia po heton edhe disa mjekë të tjerë për mitmarrje. Ky është refreni që dëgjojnë shefat e shërbimeve në mbledhjet që organizon Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Këtë e pohojnë disa nga shefat e shërbimeve, të cilët theksojnë se nuk po arrijnë të kuptojnë, nëse këto janë presione, apo paralajmërime. “Në fakt, na është thënë në mbledhje nga drejtuesit e spitalit se zhvillohen hetime dhe se do ketë arrestime të tjera, por se sa të vërteta janë këto, nuk e dimë. Fundja, nëse organet kompetente zbulojnë ndonjë mjek të korruptuar, le ta dënojnë”, - pohon njëri nga shefat e shërbimeve, i cili nuk e fsheh frikën që kanë marrë bluzat ebardha pas arrestimeve. Madje, disa nga mjekët pohojnë se mundohen të tregohen shumë të kujdesshëm edhe ndaj provokimeve që mund t’u bëjë dikush për t’u dhënë para, por që ndoshta ata edhe nuk mund të jenë, por që ruhen shumë prej tyre. Tashmë, frika në QSUT se mos organet hetimore po mbikëqyrin ndonjë nga bluzat e bardha, është e pranishme, por se sa do të zgjasë kjo, askush nuk mund të japë ndonjë përgjigje.