QSUT, nis llogaritja e kostove të diagnostikimit për pacientët
TIRANE-Pacientët e pasiguruar do të paguajnë për shërbimet që ofron Qendra Spitalore “Nënë Tereza”. Kreu i QSUT-së, Ilir Dashi ka mbledhur dje një grup pune që pritet të shqyrtojë kostot e shërbimit spitalor, të cilat do t’i faturohen pacientëve. Brenda këtij, viti pas çdo vizite, ndërhyrje kirurgjikale apo ditë-qëndrimi në spitalin universitar, do të ketë një kosto. Shefat e shërbimeve të QSUT-së do të hartojnë protokollet e mjekimit, në bazë të të cilave do të përllogaritet kostoja e kurimit të çdo pacienti. Drejtori Dashi kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, që krahas hartimit të protokolleve të reja të mjekimit, të përllogaritet edhe kostoja e shtratit të një pacienti. Kjo kosto do t’i faturohet Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për pacientët e skemës. “Në cilësinë e ndryshimeve cilësore që kemi projektuar, del në plan të parë aplikimi i protokolleve në QSUT. Ky do të jetë një veprim i shpejtë, që do të shënojë fillesën e një procesi të domosdoshëm për afrimin e praktikave tona drejt standardeve në Europë”, - tha kreu i QSUT-së. Aktualisht, në spitalet e vendit nuk ka një kosto të saktë të diagnostikimit të sëmundjeve, interventeve kirurgjikale apo mjekimit të patologjive. Drejtori i Politikave të Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero theksoi se pa një llogaritje të saktë të kostos, nuk ka shitje të shërbimit tek ISKSH-ja. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi theksoi se stafi mjekësor, akademik dhe administrativ i kësaj qendre, duhet të nisë përllogaritjen dhe protokollet e mjekimit, në mënyrë që për çdo shërbim që do të ofrohet të ketë një faturë, e cila do t’i jepet pacientit në fund të trajtimit mjekësor. Ndërkaq, javën e ardhshme pritet ngritja një komisioni të posaçëm pranë QSUT-së, me qëllim hartimin e protokolleve, duke filluar nga diagnozat kryesore të çdo shërbimi deri tek ndërhyrjet kirurgjikale. (d.b/BalkanWeb)