E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT pa ujë, pezullohen operacionet e zemrës

Edhe pse verë, nuk është koha për t`u sëmurur nga zemra. Jo pse moti e favorizon shëndetin (krejt e kundërta majde), por sepse kardiokirurgjia nuk mund të ofrojë shërbimin e nevojshëm. Mungesa e ujit ka përfshirë edhe spitalet e vendit, të cilat prej ditësh nuk furnizohen me ujë. Mjekët e pavijonit të kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” si shkak i mungesës së ujit kanë vendosur të mos kryejnë asnjë operacion.

Operacionet

Si operacionet e planifikuara, ashtu edhe ato urgjente, në asnjë rast bluzat e bardha pranë këtij pavijoni nuk marrin përsipër që t’i kryejnë. Mungesa e ujit ka çuar në krizë shumë prej shërbimeve të këtij spitali. Ndonëse pacientët kanë rendur me ditë të tëra për të caktuar datën e ndërhyrjes, gjithsesi atyre nuk do t’u shërbehet, pasi mungon uji.

Ndonëse kanë rendur me ditë të tëra për të caktuar datën e kryerjes së operacionit të zemrës, gjithsesi mjekët kanë vendosur që t’i mos kryejnë ato deri në momentin e furnizimit me ujë normal të pavijonit. Shtyrja e këtyre operacioneve për pacientët do të thotë t’u vësh në rrezik jetën. Nga ana tjetër, mjekët në pavijonin e kardiokirurgjisë kanë bërë një peticion drejtuar drejtorit të QSUT-së, Mati Pepa, për marrjen e masave sa më shpejt për furnizimin e spitalit me ujë në mënyrë që të fillojnë normalisht puna por kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër.

Ali Alushani, shef i pavijonit të kardiokirurgjisë, është shprehur se mjekët nuk mbajnë përgjegjësi për jetën e pacientëve. "Drejtoria e QSUT-së të mbajë përgjegjësi për të sëmurët, pasi na premtoi furnizimin me ujë të pijshëm", - tha ai.

Drejtoria e ujësjellësit

Mungesa e ujit tashmë ndihet kudo. Përveç shtëpive, institucioneve, ky shqetësim ka prekur edhe spitalet. Temperaturat e larta kanë shtuar konsumin e tepër të ujit në të gjitha këto mjedisi. Madje, në shumë raste ka edhe shpërdorim të tij, çfarë ka pakësuar presionin duke shkaktuar probleme në furnizim normal. Drejtoria e Ujësjellësit deklaron se deri më tani nuk ka reduktuar oraret e ujit të pijshëm në asnjë zonë të kryeqytetit. Por, është ndërtuar një skemë e re për muajt në vazhdim, nëse do të ketë ulje të burimeve hidrike nga thatësira, të cilat sipas drejtorit të marrëdhënieve me publikun, Armand Maho, për momentin janë të kënaqshme me një vit më parë.

“Deri më tani burimet janë të mira dhe ka një furnizim të mirë të popullsisë. Nëse do të ketë rritje në shpërdorim, nuk përjashtohet mundësia që Tirana të kalojë me furnizim dy herë në ditë më ujë”, - tha Maho.

Por nga ana tjetër, remontet në sistemin elektrik në disa zona si Kombinati, kanë penguar edhe furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm.

Madje, ai shton se në zonën e Laprakës, e cila furnizohej 16 orë në ditë me ujë nga Bovilla janë reduktuar oraret e furnizimit me qëllim kompensimin e zonave ku hasen probleme. Myrvete Çuni, banore e kësaj zone shprehet se “Lapraka nuk është furnizuar asnjëherë me 16 orë ujë dhe se gjatë kësaj jave uji i pijshëm vjen vetëm dy orë në ditë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›