E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH: Nuk ka raste antraksi në Burrel

Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron njoftimet e rreme se në Burrel ka pasur raste antraksi. Pas kontakteve të këtij institucioni me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetit Publik, z. Islam Mamica dhe shefin e Higjienës dhe Epidemiologjisë, z. Gani Korsita në Burrel ka konfirmuar se nuk ka asnjë rast me antraks, por flitet vetëm për raste me gastroenterit.

Sipas burimeve të sipërpërmendura nga 23-30 qershor 2008, janë shtruar në spital 11 persona me gastroenterit. Ata kanë dalë nga spitali pas ndihmës së dhënë dhe aktualisht në spital janë vetëm 2 raste me gjendje shëndetësore të mirë.

Ngjarja, që është botuar në një gazetë të përditshme, ku dhe është cituar se personat në fjalë ishin me antraks, ka ndodhur disa ditë më parë në fshatin Karicë të Burrelit, ku pjesëtarët e familjes Përlesha janë ndier keq, pasi kanë ngrënë darkë. Ata janë ankuar njëherazi për dhimbje, të vjella dhe marrje mendsh (shenja të cilat nuk kanë përputhje me sëmundjen e antraksit).

Sipas burimeve të marra nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Burrel, konstatohet se personat me shqetësime janë shtruar me urgjencë në spitalin infektiv të Burrelit ku më pas është kontrolluar situata në vend dhe janë ndjekur të gjitha rastet nga Shërbimi i Higjienës dhe Epidemiologjisë së rrethit. Sipas përfundimeve të cilat ka arritur Ministria e Shëndetësisë, nuk flitet për shfaqje të rasteve me antraks dhe se të gjitha rastet e paraqitura kanë qenë me gastroenterit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›