E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja urdhëron; Shërbim shëndetësor 24 orë për minatorët grevistë

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka firmosur dje një urdhër nëpërmjet të cilit ka ngarkuar Drejtoritë e Shëndetit Publik për sigurimin e shërbimit shëndetësor 24-orësh për dhënien e ndihmës mjekësore për rrethet ku zhvillohet greva e urisë së minatorëve.

Nëpërmjet urdhrit të tij, Ministri Ndoka ka kërkuar që Drejtoritë e Shëndetit Publik të marrin masa urgjente 24 orë dhe ekipe mjekësh me autoambulanca për të mbajtur gjendjen nën kontroll të plotë për minatorët grevistë dhe për të trajtuar çdo rast që ka nevojë për shërbim shëndetësor.

Kështu, të gjitha Drejtoritë e Shëndetit Publik të rretheve ku zhvillohet greva e urisë së minatorëve, të marrin masa urgjente për të vënë në gatishmëri autoambulanca me personelin mjekësor për të asistuar çdo nevojë shëndetësore të tyre. Drejtoria e Shëndetit Publik do të vërë në dispozicion të grevistëve numrin e telefonit për çdo rast që kërkon trajtim mjekësor urgjent. Çdo ditë nga ora 8 deri në 10, DSHP-ja të informojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë në numrin e telefonit o692049495, për gjendjen e grevistëve.

MSH-ja nënshkruan kartën e shëndetit me OBSH-në

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka organizuar Konferencën Ministeriale Evropiane mbi “Sistemet Shëndetësore” në Talinë, Estoni.

Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të 53 vendeve të rajonit evropian.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë në këtë konferencë u përfaqësua me një delegacion 5 vetash të kryesuar nga zv. ministrja e Shëndetësisë, dr. Zamira. Gjatë kësaj konference u nënshkrua karta e sistemit shëndetësor “Shëndeti dhe prosperiteti”

Qëllimi kryesor i kësaj karte ishte marrja e konsensusit dhe nënshkrimi nga 53 vendet anëtare të OBSH-së, rajoni evropian, i një dokumenti që ofron kuadrin strategjik dhe drejtimet kryesore për forcimin e sistemeve shëndetësore në të gjitha vendet e këtij rajoni. Në të njëjtën kohë kjo kartë shpreh angazhimin politik dhe për veprim të ministrave të Shëndetësisë qeverive përkatëse duke marrë parasysh sistemet shëndetësore dhe kontekstet politike të ndryshme të pranishme në rajon.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë, dr. Sinoimeri, në seancën plenare përfundimtare të kësaj konference, shprehu në emër të ministrit të Shëndetësisë dhe të qeverisë shqiptare angazhimin për zbatimin në praktikë të parimeve që theksohen në kartë: solidariteti, barazia dhe pjesëmarrja, përmes politikave shëndetësore, alokimit të burimeve dhe ndërmarrjeve të tjera duke i kushtuar vëmendje të veçantë plotësimit sa më të mirë të mundshme të nevojave të shtresave më të varfra dhe të brishta të popullsisë shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›