E, megjithatë, Meta ka një problem...
U duk sikur zgjedhjet e 28 qershorit e lanë përfundimisht e në mënyrë të pariparueshme krizën te partia më e madhe e së majtës, PS. U duk gjithashtu se partia tjetër e të njëjtit spektër, LSI-ja, mundi të zgjidhë edhe ajo përfundimisht, në minutën e fundit, problemin e madh të përplasjes asgjësuese me socialistët, por edhe të së ardhmes së saj, duke e parë veten papritmas në kushtet komode të minorancës bllokuese. Jo më për Edi Ramën, por për Sali Berishën, njeriun që kishte premtuar gjatë javëve e muajve të tërë nëpër të gjithë Shqipërinë, me anë të kryetarit të saj, Ilir Meta, se “do ta nxirrte përfundimisht në pension”. Nga këto këndvështrime, duken të pakta dilemat rreth pozitës në të cilën ndodhen dy partitë respektive; njëra me një debat të ashpër nga brenda lidhur me çështjen e kreut të partisë, kurse tjetra e shtrirë në rërën e nxehtë të Dhërmiut, në pritje që nga vila qeveritare aty pranë të vijë sinjali për bisedimet e kabinetit të ri qeveritar.
Asgjë s’do të tingëllonte më sipërfaqësore dhe e rrejshme se kjo panoramë bardhezi. Sepse asgjë më e turbullt dhe e papërcaktuar se skema politike e 28 qershorit nuk është parë e dëgjuar qëkurse regjimi komunist ia la vendin rendit pluralist. Jo vetëm kaq. Është thënë e shkruar shumë rreth problemit të madh moral dhe etik që mban brenda zgjedhja e Metës për t’u bashkuar me Berishën. Kjo është një nyje që vetë Meta shpreson se do ta zgjidhë koha dhe ofertat graduale që ai dhe ministrat e tij do të arrijnë t’i bëjnë një pjese sa më të madhe të partisë së tyre politike, për t’i mbajtur pranë, sot me interes, ashtu sikur dje me vullnet të mirë dhe me një listë vlerash që tashmë duhen riparë të gjitha.
Por sërish nuk është ky problemi i madh i Metës. Sërish nuk qëndron te rreshtimi i pazakontë (për të përdorur një term të sjellshëm) politik, defekti i madh që përmban aleanca e re PD-LSI. Dhe problemin duket se e kanë nxjerrë dje në shesh, lakuriq dhe në sy të botës, pesë bashkëthemelues të LSI-së dhe zyrtarë të lartë të saj, të cilët kanë bërë thirrjen e fundit që të ndalet “aleanca me kryeministrin e pavotuar të Gërdecit”. Përtej anës emotive dhe njerëzore, apeli i tyre prek temën shumë delikate të përfshirjes së LSI-së në një ambient tejet të dyshimtë politik dhe në një aferë bashkëpunimi, e cila, përtej përfitimeve të shpejta, mbart risqe jo të vogla që lidhen me koston e futjes në një skemë politike prej së cilës LSI-ja ka qëndruar larg, madje duke e sulmuar ashpër në të shkuarën.
Ditët e para pas zgjedhjeve po tregojnë se sa shpejt dhe me nxitim po ecën procesi i privatizimit të shtetit dhe i interesit publik, se sa pa takt dhe pa mbulojë po vepron qeveria në favor të një grupi të vogël familjarësh e miqsh, të cilët nëpërkëmbin ligjet dhe ribëjnë sipas vullnetit të tyre të dyshimtë rregullat e lojës. LSI-ja dhe Ilir Meta rrezikojnë, duan apo s’duan, të bëhen palë e tërthortë në këtë pazar që ka nisur. Ose më mirë që po vazhdon aty ku e la legjislatura e shkuar. Lejet e ndërtimeve pak ditë pas zgjedhjeve (përfshirë edhe “përbindëshin” Eftimi), apo emërimi i fundit i prefektit të Tiranës, janë sinjali më i keq i mundshëm se kjo qeveri do të vijojë, pa asnjë milimetër spostim, rrugën e hapur nga paraardhësja e saj. Veçse kësaj radhe, në krah të Fatmir Mediut dhe në vend të Lufter Xhuvelit ndodhet vetë LSI-ja, e cila harxhoi plot katër vjet aktivitet politik, pikërisht kundër këtij stili qeverisës, të përfaqësuar nga emrat e mësipërm.
Kjo maxhorancë e re po njeh sot muajin e saj të mjaltit. Do të vijnë me siguri ditë më të këqija se këto. Këtë e parathonë shifrat në Kuvend, por edhe pamundësia e pritshme për të ecur së bashku katër vjet rresht për dy persona që kurrë, në njëzet vitet e fundit, s’i kanë besuar njëri-tjetrit. Përkundrazi, janë luftuar pa asnjë elegancë dhe rezervë.
Ilir Meta nuk është përfshirë në katrahurën antiligjore dhe në skandalet financiare të katër viteve të fundit. Ai ka qenë në anën e akuzuesve, jo të të akuzuarve. Sa e pastër dhe sa e paprekur do të dalë partia e tij nga përfshirja në një qeverisje, e cila në katër vjet na tregoi se një e treta e ministrave të saj u dorëhoqën apo u ndoqën penalisht për afera korruptive të përmasave shpesh të frikshme?! Sa e pastër do të dalë LSI-ja nga një skandal eventual si ai Gërdecit, apo edhe nga përbaltja, qoftë dhe e pjesshme, e procesit zgjedhor nga raportet e ndërkombëtarëve?! Duke hyrë në qeveri, LSI-ja po merr përsipër, në mënyrë të pashmangshme, edhe hipotekën aspak komode të Berishës dhe të partisë së tij në sytë e opinionit publik. Ky është problemi i tij i madh, i cili ka të bëjë jo edhe aq me të djeshmen dhe të sotmen, sesa me të nesërmen e një partie dhe të një kryetari, që të dy të rinj në moshë dhe me ambicie që shkojnë shumë më larg, sesa ato të kryeministrit tashmë të plakur e të konsumuar, Sali Berisha.
Skënder Minxhozi
24 Gusht 2009