E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, qytetet e prekura ne Shqiperi

Përqendrimi më i lartë i virusit në Tiranë me 323 mostra të ekzaminuara

Emanuela Sako

Zgjerohet harta e virusit të gripit të derrit në pjesën më të madhe të qyteteve. Vendin e parë për raste të ekzaminuara dhe të konfirmuara e zë kryeqyteti, me 323 ekzaminime deri tani. Listës së prekjes së virusit gjatë javës së fundit, i janë shtuar qytetet të tjera si Përmeti, Berati, Kurbini, ndërsa qytetet e tjera ku rastet janë konfirmuar dhe më parë, tani kanë shtuar listën e personave të dyshuar. Qytetet e tjera, ku ka dyshime
për virusin janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Devolli, Mati, Saranda, Fieri etj. Specialistët e ISHP-së japin të dhënat se në Spitalin Infektiv të QSUT-së janë marrë 223 mostra, çka përbën dhe numrin më të lartë nga të gjitha qytetet dhe qendrat e tjera spitalore. Ndërsa vendin e dytë e zë Spitali i Pediatrisë me 59 mostra të marra për ekzaminime, por deri tani ende nuk është konfirmuar asnjë rast, ndërsa dyshohen dy raste për fëmijë të moshës 5 dhe 15 vjeç. Mostrat e fëmijëve janë nisur në Bukuresht për të kryer ekzaminimet përkatëse.
Rastet
Nga të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, bëhet e ditur se aktualisht janë marrë 440 mostra në të gjithë qytetet e vendit. Një pjesë e tyre janë duke u analizuar në ISHP dhe më pas nëse do të ketë rezultatet negative do të dërgohen për ekzaminime më të specializuara në Bukuresht. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit
dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë.
Ndërkohë, OBSH-ja ka premtuar se do të sigurojë fondet për shpërndarjen e vaksinës për disa vende të botës, të cilat nuk kanë mundësi për ta blerë atë. Ndërsa kanë bërë të ditur se tashmë do të nisë faza e dytë e përhapjes së gripit të derrit, e cila do të jetë edhe më e rrezikshme se më parë. Virusi i gripit të derrit do të mundë të krijojë një kombinim me gripin e zakonshëm dhe kjo do të bëje që të ketë një numër tepër të lartë të infektuarish. Deklarata e specialistëve të OBSH-së, u është drejtuar të gjitha qeverive të vendeve të botës për të marrë masa të rrepta, për pritjen e fluksit të madh që do të shënohet në muajin shtator.
Infeksioni
Mbivendosja e gripit të derrit me gripin stinor do të jetë shumë i vështirë për tu kuruar, ndaj dhe qytetarët duhet të vaksinohen për gripin e zakonshëm në pritje të vaksinës së virusit A/H1N1. Specialisti Pëllumb Pipero shprehet se bluzat e bardha do ta rrisin gjendjen e tyre të gatishmërisë që në ditët e para të muajit shtator. Shkak për këtë është bërë paralajmërimi për një valë më të fortë të gripit të derrit nga specialistët e OBSH-së. Ndonëse gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës puna e mjekëve të familjes apo atyre infeksionistë që merren me trajtimin e të prekurve apo të dyshuarve me virusin A/H1N1, nuk ka reshtur sërish shtatori do t’i kalojë ata në një nivel tjetër më të lartë të survejancës. Sipas mjekut Pipero, pranë spitalit Infektiv në QSUT-ë deri tani janë paraqitur raste të lehta apo të mesme, por me uljen e temperaturave numri i rasteve do të shtohet. “Fundi i shtatorit fillimi i tetorit përhapja e virusit A/H1N1 do të ketë ritme të tjera numri i rasteve do të jetë edhe më i lartë. Kjo do të rastisë edhe me influencën stinore”- u shpreh Pipero. Virusi A/H1N1 është vështirë të kurohet sipas doktor Piperos në rast se do të mbivendoset me gripi stinor, ndaj dhe qytetarët duhet të vaksinohen për gripin e stinës. “Nëse bëhet vaksina për influencën stinore mundësia për tu mbivendosur dy viruset ai i A/H1N1 dhe gripit të stinës zvogëlohet në maksimum. Është tepër e vështirë të trajtohet një person me të dyja viruset të cilët që të dy ruajnë mundësinë e komplikacioneve shëndetësore”- theksoi mjeku, Pëllumb Pipero. Sipas tij, personat që kanë pasur kriterin klinik edhe epidemiologjik të virusit janë mjekuar me Tamiflu, ndaj dhe janë të parrezikshëm për qytetarët e tjerë. Në spitalin Infektiv, aktualisht nuk ka asnjë të shtruar me gripin e derrit.

Gripi, pozitiv testi për vaksinën
Vaksina që është eksperimentuar kundër virusit të gripit të derrit tek disa persona, ka rezultuar pozitive dhe e vetmja që mund të parandalojë virusin vdekjeprurës. Specialistët kanë bërë të ditur se testet klinike për vaksinën kundër gripit të derrit kanë rezultuar pozitive. Në provat e bëra nga Instituti për Alergjitë dhe Sëmundjet në SHBA, pesë vullnetarët që kanë marrë pjesë në pesë testet e para të parashikuara, janë vaksinuar më 7 gusht dhe problemet e vetme që kanë regjistruar janë skuqja dhe iritimi i shkaktuar nga injeksioni. Rezultatet kanë bërë të mundur fillimin e testeve edhe tek fëmijët dhe të rinjtë. Aktualisht nga virusi kanë humbur jetën 1790 persona në të gjithë botën. Por, specialistët bëjnë të ditur se numri i personave që do të humbasin jetën pritet të rritet gjatë fazës së dytë të përhapjes së madhe të virusit.

Analizë për rastet e konfirmuara me grip pandemik AH1N1 në Shqipëri
Grupmosha: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç
Shumica e rasteve i përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç
Gjinia: 10 meshkuj dhe 6 femra, plus 4 rastet e reja
Vendbanimi: Tirana - 11 raste, Durrës - 4 raste, Saranda -1 rast
Paraqitja në spital: Janë paraqitur 13 raste dhe janë shtruar në spital 8 raste
Pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT janë paraqitur 8 raste

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›