E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave dhe pensioneve fillon nga 1 korriku

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Rritja e pensioneve e tejkalon qartësisht peshën e inflacionit dhe nga data 1 korrik bën që shqiptarët të kenë pensionin minimal jo më 100 USD, siç e patëm premtuar, por 100 euro”

Kryeministri Sali Berisha konfirmon rritjen e pagave dhe pensioneve nga data 1 korrik. Madje, ai pohoi se ky është një lajm i mirë për 800 mijë familje. Duke folur në mbledhjen e grupit demokrat, shefi i Qeverisë tha se kjo është ndër rritjet më të larta në Evropë, për sa u përket pagave, ndërsa kujtoi se së njëjtës Qeveri i duhet të mendojë dhe për rrugë e investime të tjera. Kryeministri Berisha tha se politikat e qeverisë që drejton po funksionojnë në sinkron me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2005 dhe me këto ritme rrogat e shqiptare në fund të këtij mandati, sipas tij, nuk do të jenë më të ulëta se 40 mijë lekë. Kryeministri theksoi se pensionet në fshat rriten 15 për qind, në qytet 10 për qind, ndihma ekonomike me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve 14 për qind, për infermierët 14 për qind, për rrogëtarët e përgjithshëm 7 për qind.
Deklarata
“Vendimi, i cili ende po përgatitet nga qeveria, tejkalon plotësisht zotimin e bërë. Kjo është rritja më e madhe e rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, e cila tejkalon qartë barrën e inflacionit në të gjitha shtresat dhe lehtëson jetën e përditshme”, - tha dje Berisha. Duke informuar mbi rritjen e pensionit për 520 mijë pensionistët shqiptarë, Kryeministri u shpreh se për të kompensuar inflacionin për 170 mijë pensionistët në fshat, ku pensioni minimal është rreth 63 mijë lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 15 për qind të pensioneve. Ai shtoi më tej se për pensionet e qytetit, ku pensioni minimal ka vlerën 110 mijë lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 10 për qind. “Rritja e pensioneve e tejkalon qartësisht peshën e inflacionit dhe nga data 1 korrik bën që shqiptarët të kenë pensionin minimal jo më 100 USD, siç e patëm premtuar, por 100 euro”, - u shpreh Berisha. Ndërsa, lidhur me rritjen që do të pësojë ndihma ekonomike, Kryeministri u shpreh se do të ketë një rritje prej 10 për qind për mbi 90 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se do të ketë një rritje të pagave me 14 për qind për 44 mijë arsimtarë, rritje e cila garanton dyfishimin brenda mandatit qeverisës për pagat e të gjithë mësuesve të Shqipërisë. “Në vitin 2009 ne realizojmë dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, ku një mësues që merrte 200 mijë lekë do të marrë 400 mijë lekë në mbyllje të mandatit tonë të parë. Ne do të dyfishojmë rrogat e 12 mijë infermierëve me një rritje të ndjeshme, e cila do të jetë 14-15 për qind, por skema është garantuese për dyfishim të plotë të rrogave të tyre deri në fund të mandatit qeverisës”, - tha kryeministri Berisha. Gjithashtu, sipas tij, do të rriten rrogat e të gjithë rrogëtarëve të tjerë për të përballuar inflacionin dhe në këtë kuadër, një rritje prej 4 për qind do të pësojnë rrogat e larta dhe me 7 për qind do të rriten rrogat e tjera. “Po zhduket pra problemi i rrogave që instaluan paraardhësit tanë, ku një zyrtar i lartë merrte sa 62 pensionistë apo sa 30 rrogëtarë”, - pohoi ai duke theksuar se një rritje të ndjeshme thelbësore do të pësojnë edhe rrogat e ulëta në sektorin privat. Kreu i Qeverisë u shpreh se nga data 1 korrik e tutje nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Sipas tij, përcaktimi i rrogës minimale të një vendi është detyrim për të gjitha vendet, madje edhe në SHBA që është vendi frymëzues i liberalizimit.
Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›