E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton ligjin “Për falimentin” dhe “Për procedurat tatimore”

Autori i Lajmit: red.
Presidenti Bamir Topi ka dekretuar ligjin “Për falimentin” dhe atë “Për procedurat tatimore”, pas shumë kontestimeve të opozitës, e cila gjatë gjithë kohës ka këmbëngulur se ligji nuk është diskutuar me komunitetin e biznesit. Ligji “Për falimentin” u kalua në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita braktisi seancën plenare. Ligji detyron nisjen e procedurave të falimentimit për shoqëritë, të cilat konstatohen se prej dy vjetësh nuk kanë aftësi paguese. Por, në këtë mënyrë ky ligj çon në falimentim edhe ato biznese, të cilat ndonëse kanë aftësi paguese, për t u shpëtuar detyrimeve tatimore, deklarojnë bilance me humbje.
Debatet
Debati parlamentar ka shoqëruar për një kohë të gjatë edhe projektligjin “Për falimentimin” e bizneseve. Opozita ka bojkotuar seancën, ndërsa diskutohej ky ligj, pasi e ka konsideruar miratimin e tij si të nxituar. Deputetët e opozitës kanë kërkuar rikthimin e tij në Kuvend, si dhe diskutimin me bizneset. Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, ka kërkuar në emër të grupit, rikthimin e këtij ligji në komisione. “Ne kërkojmë rikthimin e projektligjit sërish në komisione. Ligji duhet të diskutohet më parë me grupet e interesit. Të dëgjohet edhe mendimi i biznesit”, - është shprehur Leskaj. Gjithashtu, edhe deputeti socialist, Arben Malaj, është shprehur kundër miratimit të ligjit. Në këtë kuadër, Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar shqyrtimin e tij nen për nen dhe pjesëmarrjen në votim të opozitës. Ligji detyron nisjen e procedurave të falimentimit për shoqëritë, që konstatohen se prej dy vjetësh nuk kanë aftësi paguese. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, kundrejt kërkesave të opozitës për rikthimin e ligjit. Ai ka theksuar se ky ligj parandalon konkurrentët e pandershëm në treg, të cilët nuk paguajnë taksat dhe nuk shlyejnë detyrimet tatimore ndaj institucioneve. Në këtë kuadër, Bode ka hedhur edhe akuza gjithëpërfshirëse që lidhen me abuzimet e bizneseve, të cilat disponohen nga zyrtarë të lartë, ministra e deputetë. “Tashmë nuk mund të kemi më biznese të ministrave dhe të funksionarëve të lartë që konkurrojnë në mënyrë të pandershme në treg, nuk mund të kemi zyrtarë të lartë apo funksionarë politikë, qoftë dhe deputetë, që të mund të konkurrojnë në mënyrë të pandershme në treg”, - është shprehur Bode. Po dje, Topi dekretoi dhe ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, shpalljen e disa "shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për falimentimin” dhe shpalljen e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›