Vendimi, dënohet kasapi që vrau taksistin dy vjet më parë
FIER - Gjykata e Shkallës së Parë Fier dënoi të pandehurin Flamur Brakaj për veprën penale "vrasje me dashje" me 10 vjet e 8 muaj burgim, nga 20 vjet burg që kërkoi akuza. Vendimi është dhënë dje nga trupi gjykues. Në maj 2007, në qytetin e Ballshit, i pandehuri Flamur Brakaj, që tregtonte mish në një dyqan të marrë me qira, vrau me mjetet e punës viktimën D. H., nga fshati Metoh, komuna Aranitas, shofer taksist me furgon. Pas një sherri me shkak, parkimin e furgonit pranë dyqanit, Brakaj rrëmbeu thikën në tavolinën e punës dhe goditi në bark viktimën D. H., që humbi jetën nga dëmtimi i organeve jetësore dhe hemorragjisë. Tashmë Brakaj do të vuajë dënimin nëse vendimi i dhënë nuk apelohet në Gjykatën e Apelit.
15 Janar 2009