“Gërdeci”, jep dorëheqjen Zamir Shtylla, prokurori që drejtonte hetimet
Habjon Hasani
Tiranë - Fiks 10 muaj pas shpërthimit vdekjeprurës në Fabrikën e Gërdecit, kryehetuesi i çështjes ka lënë detyrën. Zamir Shtylla, përgjegjës i grupit të hetimit për tragjedinë e Gërdecit, i ka kërkuar kryeprokurores Ina Rama dorëheqjen dhe largimin nga detyra për hetimin e tragjedisë së Gërdeci, si dhe dorëheqje nga Drejtoria e Hetimit dhe Kontrollit në Prokurorinë e Përgjithshme. Mësohet se kërkesa për dorëheqje i është paraqitur kryeprokurores Ina Rama dje, pak përpara përfundimit të orarit zyrtar të punës dhe pak para përfundimit të afatit për hyrjen në fuqi të ligjit të dosjeve. Burime nga organi i akuzës pohojnë se mundësitë më të mëdha janë që krerët e organit të akuzës ta aprovojnë këtë kërkesë të Shtyllës. Hetimet e dosjes “Gërdeci” kanë përfshirë disa nga krerët më të lartë të shtetit si dhe familjarë të kryeministrit Berisha. Ky i fundit prej dy muajsh ka artikuluar emrin e Zamir Shtyllës në kontekstin e “krimeve të kryera nga prokurori” kur ushtronte zanatin para viteve ’90. “Në Shqipëri, 98 për qind e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë dhe s’kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm ‘Zamir Shtyllat’, të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin ’90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë”, - akuzoi Berisha pak kohë më parë.
Reagimi i prokurorit
Kryehetuesi i dosjes “Gërdeci” ka qenë nën tehun e sulmeve qeveritare dhe politike për një kohë të gjatë, ndërsa drejtonte hetimet për disa politikanë dhe familjarë të qeveritarëve më të lartë. Vetëm një muaj më parë zoti Shtylla u detyrua të reagonte publikisht ndërsa në media u amplifikuan akuzat e një ish-të persekutuari, që pretendonte se ishte torturuar dhe dhunuar nga Shtylla gjatë kohës së komunizmit. “Gjatë gjithë karrierës sime si hetues dhe prokuror, nuk kam pasur proces hetimor me z. Gëzim Peshkëpia dhe pjesëtarë të familjes së tij. Deklarimi publik në media se z. Gëzim Peshkëpia është hetuar prej meje në vitin 1975 është i pavërtetë dhe ritheksoj edhe një herë se me këtë person nuk kam pasur asnjë raport të lidhur me punën time. Unë kam filluar punë në gushtin e vitit 1976, një vit më vonë nga sa z. Peshkëpia pretendon se është hetuar”, - ka deklaruar Shtylla rreth një muaj më parë. Megjithëse prokurori ka reaguar me takt dhe është përpjekur të qëndrojë sa më larg debateve apo provokimeve deklarative të politikës, presioni në rritje duket se ka bërë që ai të mendojë për dorëheqjen tashmë. Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës, i cili është dhe maja e hierarkisë së Gjyqësorit dhe Prokurorisë ka “abstenuar” lidhur me dekretimin e ligjit për dosjet dhe pastërtinë e figurës së zyrtarëve.
Loja me ligjin
Drafti “Për pastërtinë e figurës”, i propozuar nga Partia Demokratike, solli një “goditje” të drejtpërdrejtë në ekipin e hetuesve të dosjes “Gërdeci”. Ky draft eliminon në mënyrë radikale aktivitetin e cilitdo prokurori apo gjykatësi që ka punuar si hetues apo gjyqtar përpara viteve ‘90. Vetëm në rastin e dosjes “Gërdeci” evidentohen lehtësisht të paktën dy prokurorë që kanë hetuar dhe para viteve ‘90. E, ç’është më e rëndësishmja, bëhet fjalë pikërisht për dy prej hetuesve më kryesorë të kësaj dosjeje, të cilët janë thuajse dirigjuesit e hetimit që aktualisht është përqendruar në pistën e trafikimit të armëve. Sipas këtij drafti, cilido prokuror apo gjykatës përjashtohet automatikisht nga ky funksion mjaft që të ketë punuar në të njëjtin pozicion para vitit 1990. Një kriter i tillë është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë.
15 Janar 2009