E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet banda e grabitjes së antenave të kompanive celulare, tre veta në pranga



GJIROKASTËR – Prej disa kohësh tre të rinj kanë grabitur pajisjet dhe karburantin e gjeneratorëve të antenave të operatorëve celular, duke i lënë pa energji, por mbrëmjen e së martës ata janë kapur në kushtet e flagrancës nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se agjentët e Krimeve Kundër Pronës, rreth orës 23:30 të ditës së martë, kanë bërë arrestimin e shtetasve: Nerid Ahmeti, 22 vjeç, dhe dy bashkëpunëtorët e tij 18-vjeçarë, Venito Ahmeti, Ilirian Puci, të cilët janë me banim në fshatin Mashkullorë të rrethit Gjirokastër. Sipas tyre, prangosja e të rinjve u bë për arsye se në orët e para të ditës së martë, me automjetin tip furgon “Benz Mercedes”, me targa GJ 56 77 A, me drejtues mjeti shtetasin Nerid Ahmeti, pronë e babait të njërit prej autorëve, kanë shkuar në vendin e quajtur Qafa e Koçikut në komunën Ballaban të rrethit Përmet, vend ku ndodhet antena e kompanisë celulare “Vodafon”. Aty, këta shtetas kanë vjedhur baterinë dhe rreth 700 litra naftë të gjeneratorit të antenës së kompanisë celulare “Vodafon” dhe janë nisur në drejtim të Gjirokastrës. Pas njoftimit të bërë në Policinë e Përmetit nga kujdestari i godinës ku ndodhet antena, i cili u kishte marrë targën, u organizuan shërbimet e të tria komisariateve, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet si dhe specialistë dhe agjentë të Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Si rezultat i ndjekjes nga forcat e policisë në vendin e quajtur “Ura e Leklit”, në aksin rrugor Gjirokastër- Përmet, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë, së bashku me furgonin, baterinë dhe naftën e vjedhur. Po këta shtetas, katër ditë më parë, dyshohet të kenë vjedhur edhe një sasi karburanti tek antena e kompanisë celulare “AMC” në fshatin Picar të rrethit Gjirokastër. Nga kontrollet që u bënë në banesat e këtyre shtetasve, në shtëpinë e shtetasit Venito Ahmeti u gjendën 200 litra naftë. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentian Mullai, pohon se janë kryer veprimet e duhura procedurale dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti tip furgon “Benz Mercedes” dhe materialet e vjedhura. Çështja në ngarkim të tre të rinjve i kaloi organit të akuzës, pasi ata hetohen për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarit

Nerid Ahmeti, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mashkullorë të rrethit Gjirokastër
Venito Ahmeti, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mashkullorë të rrethit Gjirokastër
Ilirian Puci, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mashkullorë të rrethit Gjirokastër

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›