Gjykata e Lartë, sot vendimi përfundimtar për "Durrës-Kukës"
TIRANE - Gjykata e Lartë lë "pezull" për 24 orë vendimin për shpalljen të vlefshme ose jo të veprimeve të kryera nga Prokuroria pas datës 6 nëntor 2008 në dosjen "Durrës-Kukës". Në përfundim të seancës, gjykata vendosi të shtynte një ditë më vonë shpalljen e vendimit, me argumentin se i nevojitej kohë për përgatitjen e arsyetimit të tij. Në këtë mënyrë seanca e djeshme u mbyll vetëm me paraqitjen e pretendimeve të palëve. Prokuroria pretendoi se vendimi i dhënë në Shkallën e Parë dhe në Apel është i pavlefshëm. Ndërsa avokati mbrojtës i shefit aktual të diplomacisë shqiptare tha para gjykatës se togat e zeza të kësaj gjykate e kanë zgjidhur çështjen në themel dhe se nuk kishte kuptim më shqyrtimi i kërkesës. Dhjetë ditë më parë, Gjykata e Lartë pushoi çështjen gjyqësore në ngarkim të ministrit Basha. Për shkak të procedurave të parregullta hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme, dje togat e zeza morën në shqyrtim një kërkesë, pjesë e kësaj dosjeje. Bëhej fjalë për rekursin e bërë nga Prokuroria për vendimin e Apelit të 2 shkurtit të këtij viti. Vendimi në Apel la në fuqi verdiktin e gjyqtares së Faktit, Fatmira Hajdari, që shpalli të pavlefshme veprimet e kryera nga Prokuroria pas datës 6 nëntor 2008 në dosjen "Durrës-Kukës". Në seancën e djeshme, e cila zgjati rreth 2 orë, ministri Basha kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në seancë, ndërsa interesat e tij u mbrojtën nga avokati Zef Nikaj. Prokurori Artur Selmani pohoi dje se Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit më pas nuk ishin kompetente për shqyrtimin e kësaj kërkese. Sipas prokurorit, "edhe nëse Gjykata e Tiranës do të ishte kompetente, atëherë kjo çështje duhej shqyrtuar nga gjyqtari Sokol Tona, i cili kishte dhënë një vendim të mëparshëm për Armand Telitin dhe Andi Tomën". ar.ba.