E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarkaxhia kthehet në Vëllaznim

Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 13:10

Debatik Qarkaxhia është përforcimi më i ri i Vëllaznimit. Mbrojtësi i djathtë gjakovar e ka lënë Lirinë, me të cilën luajti dy sezone, për t’u rikthyer te Kuqezinjtë, me të cilët kishte luajtur në vitin e parë të karrierës.

“Kam arritur marrëveshje njëvjeçare me Vëllaznimin. Pritja e tepërt për rroga dhe zvogëlimi i tyre për sezonin e ardhshëm bëri që të largohem nga Liria. Në anën tjetër, Vëllaznimi më ofroi kushte më të mira”, deklaroi Qarkaxhia.

Përpos tij, Vëllaznimi i ka siguruar shërbimet edhe të një futbollisti të lirë. Bëhet fjalë për mesfushorin Alban Dylazeka, i cili shumë shpejt pritet të vishet po ashtu kuqezi. Edhe për Dylazekën bëhet fjalë për një rikthim në klubin gjakovar.

Vëllaznimi, i cili u këndell pasi emëroi kryetarin e ri Afrim Këpuska, është i interesuar t’i kthejë edhe dy futbollistët tjerë të ekipit bardh e zi, Roland Duraku dhe Luigj Buqaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›