Vllaznia ankohet në UEFA

Klubi futbollit Vllaznia, i zhgënjyer në maksimum nga gjykimi i ndeshjes së fundit të luajtur në Thun, e vlefshme për Europa League, ka vendosur t’i drejtohet me një shkresë ankimore Komisionit Disiplinor të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Ata konsiderojnë se gjyqtarët i dëmtuan në përballjen e së enjtes mbrëma, ku humbën 2:1 vetëm në momentet e fundit.
“Në ankesën tonë përmendim disa vendime të njëanshme dhe të gabuara të gjyqtarëve të ndeshjes, si pozicioni i dukshëm jashtë loje në rastin e golit të parë të Thunit, që e shënoi Milaim Rama, si dhe faulli i shkaktuar ndaj Rajoviccit te goli i dytë, që solli më pas edhe eliminimin e skuadrës tonë”, shkruan në ankesën e klubit shkodran.
Jo vetëm kaq. Ata mendojnë se tendenca ka pasur që në fillim të ndeshjes, me dhënien e dy kartonëve të parë të verdhë për Rajovicc (krejt i pakuptimtë) dhe Popovic, që në minutat e para të ndeshjes apo edhe lënien jashtë normave të lejuara të Rajovicc e Smajlit jashtë vijave të fushës në momentet e dëmtimit të tyre, duke e lënë Vllazninë me 10 futbollistë në fushë.
Udhëheqësit e Vllaznisë besojnë se UEFA, pasi t’i shikojë xhirimet, do t’i marrë masat e duhura ndëshkimore ndaj këtyre gjyqtarëve të ndeshjes.