Fejzullahu refuzon suedezët

Erton Fejzullahu nuk dëshiron të rikthehet në futbollin suedez. Sulmuesi shqiptar e ka refuzuar ofertën që i kishte arritur për t’u rikthyer në Mjallby, por edhe atë që t’i bashkohet Helsingborgut.
Ai dëshiron të mbetet në Holandë, tek ekipi NEC Nijmegen, ku e ka ndërmend të luftojë për një vend titullari. Si Helsingborgu, ashtu edhe Mjallby e kishin shprehur interesimin për 23 vjeçarin, i cili megjithatë nuk dëshiron ta bëjë një hap prapa për t’u rikthyer në Allsvenskan.
“Është faza para-sezonale dhe të gjithë do të luftojnë për pozitën e tyre. Ndër të tjera, e kemi një trajner të ri. Kam luajtur në të gjitha ndeshjet në stërvitje deri tash. Ndoshta do të përfundoj në bankinë në muajin gusht, kur të nisë sezoni, por do të luftoj në të ardhmen për të luajtur rregullisht”, tha Fejzullahu për të përditshmen suedeze Expressen.
Udhëheqësit e Nijmegen kanë biseduar me ata të Mjallbyt në ditët e fundit, duke arritur marrëveshjen, mirëpo një gjë të tillë nuk e bënë edhe me akterin kryesor – vetë lojtarin.
“Kam lexuar shumë gjëra kohëve të fundit, por nuk ka asgjë të vërtetë. E pash që më shihnin të kthehesha prapa, por kam kontratë edhe dy vjet me NEC dhe do të qëndroj këtu deri në fund”, vazhdoi Fejzullahu i cili ishte huazuar te klubi danez Randers në sezonin e fundit.
Fejzullahu thotë se ka respekt për Mjallbyn dhe e falënderon për interesimin, por shton se së pari duhet ta shikojë interesin personal. Flitet edhe për një huazim të tij te klubi suedez, por futbollisti shqiptar më me shumë dëshirë do të qëndronte në Holandë.