E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatiten n’ shpi

Pjesa dërrmuese e klubeve kosovare kanë vendosur që fazën përgatitore ta kryejnë në shtëpi. Ka prej tyre që konsiderojnë se kushtet në Kosovë janë të volitshme për ta kryer këtë fazë, por ka edhe të tjerë që nuk kanë mundësi financiare për të dalë jashtë. Janë vetëm dy klube që planifikojnë të stërviten në Shqipëri ose Maqedoni. Nga Moral Pozhegu më 24 korrik 2011 në ora 13:17

Pjesa më e madhe e klubeve kosovare të futbollit do ta kryejnë fazën përgatitore para-sezonale në shtëpi. Arsyet pse ata e bëjnë këtë janë të ndryshme. Disa prej tyre konsiderojnë se kushtet janë të volitshme që kjo fazë të zhvillohet në Kosovë, por ka prej tyre që i ka prekur kriza dhe për shkak të kushteve të vështira financiare, nuk mund të shkojnë në përgatitje jashtë vendit.

Kampioni në fuqi, Hysi, këtë radhë nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Merdara. Këtë e ka bërë të ditur trajneri Fadil Ademi, i cili po punon me futbollistët e tij çdo ditë në stadiumin e klubit.

“Sipas të gjitha gjasave, tërë fazën përgatitore do ta kryejmë në Merdarë, sepse aty gjenden të gjitha kushtet e nevojshme, nuk kemi nevojë të shkojmë askund. Infrastruktura është në nivel, kështu që do të stërvitim aty”, deklaroi Ademi për Express.

Edhe nënkampioni Prishtina planifikon që të rrijë në vend. Kështu thotë nënkryetari i këtij klubi, Afrim Muçiqi. “Ne gjithmonë e kryejmë fazën përgatitore të verës në Kosovë, pasi që këtu ekzistojnë kushtet për ta bërë një gjë të tillë. Ndërsa gjatë dimrit e kërkojmë zakonisht një vend me klimë më të mirë”, tha Muçiqi.

Liria planifikon ta kryejë fazën përgatitore në Prizren, siç tregon trajneri Behajdin Gjinali. “Nuk kemi mundësi të shkojmë jashtë për ta kryer një pjesë të fazës përgatitore, kështu që do të qëndrojmë në Prizren”, deklaroi ai.

Njëjtë si prizrenasit do të veprojnë edhe Trepça ’89, KEK-u dhe Drenica. Këtë e kanë bërë të ditur trajnerët e këtyre ekipeve, Gani Sejdiu, Mentor Miftari e Tahir Lushtaku. Mirëpo, ka pak klube që e kanë bërë nijet që një pjesë të fazës përgatitore ta kalojnë jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për Gjilanin dhe për Trepçën.

“E kam bërë kërkesën që fazën përgatitore ta vazhdojmë në Maqedoni ose Shqipëri, tash i mbetet kryesisë të vendosë nëse ka mundësi. Nga 20 korriku po stërvitim në Gjilan. E kemi angazhuar Burim Shabanin, ndërsa presim që një gjë të tillë ta bëjmë edhe me Genc Sermaxhajn”, tha trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti.

“Shpresoj që të shkojmë kah mesi i javës tjetër. Kam biseduar me kryetarin dhe planifikojmë të shkojmë në Shqipëri ose Maqedoni, për ta kryer fazën përgatitore”, njoftoi trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu.

Vëllaznimi është e vetmja skuadër që nuk i ka filluar ende përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa Drita e Lepenci po mendojnë ende nëse do të shkojnë jashtë Kosovës për përgatitje apo jo.

Në të kaluarën ka qenë gjë e zakontë që klubet të ‘shtegtojnë’ 7-10 ditë në Shqipëri ose Maqedoni për ta kryer fazën përgatitore. Por, me ose pa dashje, pjesa dërrmuese e tyre këtë herë kanë vendosur që të qëndrojnë në shtëpi në fazën përgatitore para-sezonale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›