E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, lideri i ri i Lazios

Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 13:14

Lorik Cana është duke e marrë dalëngadalë terrenin në Lazio. Mediat italiane shkruajnë se futbollisti shqiptar, së bashku me francezin Djibril Cisse, është duke e marrë lidershipin në klubin italian.

Ueb faqja zyrtare e klubit e ka bërë një shkrim të veçantë, ku përmend dyshen Cisse-Cana, të cilët përpos tifozëve, duket se ua kanë marrë zemrën edhe shokëve të skuadrës. “Mesfushori shqiptar dhe sulmuesi francez e udhëheqin grupin si të ishin në Lazio që disa vite. Karakteri dhe angazhimi i tyre ishte ai që i mungonte ekipit Biancocelesti”, shkruan në sslazio.it.

“Janë në Lazio që një muaj, por e udhëheqin ekipin si veteranë. Kanë karakter të fortë, këtë e demonstrojnë në çdo rast. Nëse bëhet fjalë për një provë taktike ose një miqësore, dëshira e tyre është një stimulim më shumë për shokët”, vazhdon shkrimi.

Edhe tifozët janë të pasionuar me angazhimin e tyre. Disa prej tyre i kanë shkruar emrat e tyre në fanella. Të premten, gjatë një vizite të një delegacioni të shkollës së futbollit të këtij klubi, Cisse e Cana ishin lojtarët më në dispozicion për fëmijët.

Djibrili e Loriku i kanë të gjitha ato që u nevojiten për t’u bërë të dashur tek ekipi i ri. I pari ka nuhatje të mirë për golin, kurse tjetri është i vendosur për ta mbrojtur portën e tij, duke luftuar për çdo top. Nëse e konfirmojnë këtë edhe në fushë, Lazio i ka gjetur liderët e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›