E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku i Beratit, KQZ nuk ndryshon rezultatet

Autori i Lajmit: red.
Zyrtarizohet ndarja e mandateve në qarkun e Beratit, 4 për aleancën “Bashkimi për Ndryshim”, 3 për “Aleancën e Ndryshimit” dhe 1 për “Aleancën Socialiste për Integrim”. Ky konfirmim është dhenë dje pas miratimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të tabelës së rezultateve, e cila kaloi me debate të shumta mes anëtarëve. Problemet apo korrigjimet e tabelave të qendrave të votimit në krahasim me tabelën përmbledhëse u kontestuan në mënyrë të vazhdueshme nga socialistët. Por pavarësisht kësaj, KQZ miratoi me 4 vota pro dhe 2 kundër, tabelën përmbledhëse për Beratin. Tabela përmbledhëse është miratuar për 129 qendra votimi nga 130 gjithsej të Beratit. Kjo pasi KZAZ numër 2 e qarkut të Beratit e ka shpallur një qendër votimi të pavlefshme. Partia Socialiste ka kundërshtuar dhe ka deklaruar se kutia nuk mund të shpallet e pavlefshme, pasi është marrë në dorëzim dhe është numëruar. Në këto kushte, ata kërkuan që rezultatet e kësaj qendre t i bashkangjiten tabelës së 129 qendrave dhe tabela përfundimtare të kalojë për miratim. Kjo kërkesë u kundërshtua nga anëtarë të Partisë Demokratike në KQZ si dhe nga kryetari Arben Ristani, të cilët kanë pretenduar se shpallja e kësaj kutie është e ligjshme. Ristani u tha socialistëve të ankimojnë vendimin e djeshëm. Po 4 me 2 ka kaluar dhe tabela e rezultateve për qarkun e Durrësit ku Partia Demokratike ka 7 mandate, 5 Partia Socialiste dhe 1 për Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe për këtë qark është debatuar për dy kuti votimi të KZAZ-ve të këtij qarku, 1290 dhe 1314, për të cilat, sipas përfaqësuesit socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, nuk ka tabelë rezultatesh. Edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi vlerësimin e këtyre dy kutive dhe më pas miratimin. Por pas verifikimeve të administratës, rezultonte se tabela e rezultateve përmbledhëse të qarkut të Durrësit ishte e plotë, për këtë arsye kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e hodhi në votim. Me 4 vota pro dhe 2 kundër, u miratua dhe tabela përmbledhëse e këtij qarku, e cila u bashkëngjitet atyre të Gjirokastrës, Kukësit dhe Korçës, të miratuara më parë. Ndërkohë është rrëzuar kërkesa e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për rivlerësim të votave të pavlefshme dhe rinumërim të votave në KZAZ-në 54 në kryeqytet. Me kundërshtimin dhe të përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së u rrëzua kjo kërkesë si jashtë afatit. Sipas tyre, kërkesa duhet bërë pas miratimit të tabelës përmbledhëse.
Ky lajm është publikuar: 07/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›