E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj përshëndet kreun e PD-së, Berisha, për fitoren

Autori i Lajmit: red.
Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, uroi dje kryeministrin Sali Berisha për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Në mesazhin e tij të urimit, Haradinaj shprehet: “Në emër të AAK-së, më lejoni t ju uroj për fitoren e së djathtës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. AAK-ja dhe unë personalisht konsiderojmë se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtejshëm të reformave të nisura në Shqipëri si dhe përgatitjen e vendit për integrimin evropian”. Më tej, në letrën e tij drejtuar kryeministrit Berisha thuhej: “AAK uron të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje si dhe për një mbarëvajtje të admirueshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. AAK është e bindur se Shqipëria me këtë nivel të zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka dëshmuar se është vend i cili respekton parimet demokratike dhe është e gatshme për t iu bashkangjitur familjes së madhe të Bashkimit Evropian”,-vazhdon letra. “AAK është e bindur se ky proces zgjedhor, i cili ka përshkruar një nivel të lartë të demokracisë, do të ndihmojë edhe Republikën e Kosovës në proceset demokratike dhe zgjedhore që e presin përpara. AAK beson se së shpejti edhe në Kosovë do të triumfojë e djathta”,- përfundon letra që Haradinaj i ka dërguar kryeministrit Sali Berisha.
Ky lajm është publikuar: 07/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›