E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku i Fierit nën mëshirën e logjikës parashtetërore

Share

Ajo që po ndodh në Fier është e një logjike parashtetërore. Palët janë duke u kacafytur duke pretenduar të njëjtin post, atë të kryetarit të Këshillit të Qarkut. Socialistët kanë kryetarin e tyre, Vangjel Ndrekën, mirëpo pala tjetër është mbledhur dhe ka zgjedhur Artur Shehun si kryetar. I pari, Vangjel Ndreka, e ka parashikuar këtë fund të fabulës në një letër që pak kohë më parë ua ka dërguar ambasadorëve. Vini re deri ku ka arritur mosbesimi: letrën nuk ua ka dërguar autoriteteve të shtetit shqiptar, por ambasadorëve.

Socialistët e kanë çuar çështjen në gjyq, megjithatë, dhe Gjykata e Apelit, Vlorë, e ka dhënë verdiktin: kryetar i Këshillit të Qarkut është Vangjel Ndreka. Ky është një vendim i formës së prerë, dhe sipas legjislacionit shqiptar, duhet zbatuar pa një, pa dy. Vetëm Gjykata e Lartë, me kërkesë të palës tjetër, mund ta pezullojë zbatimin e këtij vendimi; ose mund të marrë një vendim të ndryshëm (nëse kërkesa kërkon dhe rigjykimin e çështjes).

Por pala e demokratëve dhe e LSI-stëve këmbëngulin në të tyren. Për ta kryetar duhet të jetë Artur Shehu. Kush e zgjidh këtë, nëse jo gjykatat? Me sa mend po e vazhdojnë këtë histori ata që po e vazhdojnë? Pse nuk bëhet asnjë ndërhyrje nga autoritetet politike e shtetërore të Tiranës? Ku e gjejnë këtë kurajo, vallë?

Respublica.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›