E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku i Gërdecit, familjarët e Berishës kontrollonin financat e “MEICO”-s

Zbardhen dokumentet, mbesa e kryeministrit, kontabiliste e financave të “MEICO”-s. Korrespondenca e zonjës Shpresa Breçani me ish-drejtorin e Uzinës së Poliçanit

Habjon Hasani

Tiranë – “Circulus vitiosus”. Një qark i mbyllur. Pikërisht kështu rezulton të ketë qenë menaxhimi shtetëror i armatimeve të vendit. Pas një numri të pafund dokumentesh komprometuese të dala lidhur me procesin e demontimit të municioneve, gazeta “Albania” ofron sot disa nga dokumentet më domethënëse në lidhje me atë që quhet “afera e Gërdecit”. Bëhet fjalë për disa shkresa, përmbajtja e të cilave tregon se për dy vite me radhë (2006-2007) financat e ndërmarrjes “MEICO” dhe të Uzinës së Poliçanit janë audituar dhe janë mbikëqyrur, as më shumë e as më pak, se sa nga vetë mbesa e kryeministrit të vendit, zonja Shpresa Breçani. Në bazë të këtyre dokumenteve zyrtare shtetërore rezulton se zonja Breçani ka audituar pasqyrat financiare të viteve 2006-2007 të ndërmarrjes “MEICO” dhe të Uzinës së Poliçanit. Madje, zonja Breçani ka pasur një korrespondencë të larmishme, sidomos me dy drejtorët e Uzinës së Poliçanit, prej së cilës kuptohet lehtësisht se në kulmin e ideimit dhe ndërtimit të asaj që quhet “sipërmarrja e Gërdecit”, në Uzinën e Poliçanit dhe në ndërmarrjen “MEICO” ishte pikërisht zonja Breçani që “kopsiste” të gjitha të dhënat financiare që depozitoheshin në fund të vitit.
Lidhja
Po çfarë përfaqëson prezenca e një familjareje të ngushtë të kryeministrit në kontrollin e pasqyrave financiare të ndërmarrjes “MEICO” apo të Uzinës së Poliçanit? Sot, kur Prokuroria ka ezauruar hetimin dhe ku shumë fakte kanë parë dritën e diellit, duket se është më e lehtë për të përcaktuar të paktën rëndësinë që ka pasur roli i ekspertes kontabël në këto dy vende. Nëse u referohemi konkluzioneve hetimore të prokurorisë, kjo e fundit është shprehur se ndërmarrja “MEICO”, përgjatë gjithë vitit 2007 dhe fillimvitit 2008, i ka shkaktuar humbje kolosale arkës së shtetit nëpërmjet favorizimit që i ka kryer kompanisë “Albademil”, e cila operonte në Gërdec. Madje prokuroria ka çuar në bankën e të akuzuarve dhe vetë financieren e ndërmarrjes “MEICO”. Ndërkohë që ka qenë pikërisht zonja Breçani personi i autorizuar për të mbikëqyrur financat e ndërmarrjes “MEICO” dy vite ma radhë. E thënë shkurtimisht, e gjithë puna e vartësve të kryeministrit auditohej nga mbesa e tij. Madje, sot, kur kjo “punë” është trajtuar nga hetimet e prokurorisë, del se në fakt pasqyrat financiare të ndërmarrjes “MEICO” nuk kanë qenë asgjë tjetër përveçse një vjedhje dhe abuzim i mirëfilltë. Ishte zonja Breçani që e ka audituar këtë aktivitet. Si rregull, raportet e saj mbi këto auditime duhet të ishin në zyrat dhe arkivin e ndërmarrjes “MEICO” dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, por çuditërisht, në dosjen voluminoze të prokurorisë nuk gjendet asnjë gjurmë e ekspertes kontabël që auditoi ndërmarrjen “MEICO”. ǒtë ketë ndodhur vallë?
Prejardhja
Sigurimi i këtyre dokumenteve nga ana e gazetës na mësoi se pikërisht këto dokumente që publikohen sot i janë nisur për informim edhe disa institucioneve të rëndësishme shtetërore. Ato kanë mbërritur në Ministrinë e Brendshme, në prokurori dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Megjithatë, deri sot asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Të paktën pasqyrat financiare dhe mënyra se si ato janë audituar kanë pasur një rëndësi të dorës së parë për hetimin nga ana e prokurorisë. Zbërthimi i këtyre pasqyrave ka nxjerrë në pah faktin e thjeshtë se ishte pikërisht ndërmarrja “MEICO” ajo që pasuritë kombëtare i kanalizoi në favor të një kompanie private duke goditur në mënyrë akrobatike interesin publik. Prokuroria, nga ana e saj, ka zhvilluar një proces intensiv të marrjes në pyetje të çdo personi që rezultonte i lidhur me historinë e Gërdecit, por çuditërisht në dosjen e prokurorisë mungon qoftë dhe një dëshmi e vetme nga ana e ekspertes kontabël që auditoi pasqyrat financiare të “MEICO”-s. Si është e mundur që prokuroria është treguar kaq e pavëmendshme ndaj një personi që ka audituar dokumentet më të rëndësishme që lidheshin me aktivitetin tregtar të Gërdecit?! Gjithsesi, ajo që dimë me siguri deri tani është fakti se në këtë histori është evidentuar i përfshirë një mik i ngushtë i djalit të kryeministrit, baxhanaku i kryeministrit si dhe disa ministra të tij. Në këto kushte, dalja në skenë e lidhjes së mbesës së kryeministrit me pasqyrat financiare të armatimeve nuk habit më askënd, ky fakt i ri thjesht tregon se sa vicioz ka qenë qarku i personave që lidhen me historinë e Gërdecit.

BOX
“MEICO”-Poliçan, lidhja mes trafikut të raketave dhe koncesionit të fishekëve

Mes ndërmarrjes “MEICO” dhe Uzinës së Poliçanit, ku zonja Breçani ka audituar, ka një lidhje të fortë që aktualisht është në hetim nga prokuroria, pasi dyshohet për trafik ndërkombëtar armësh. Kjo lidhje është pasqyruar disa javë më parë ekskluzivisht në gazetën “Albania”. Dokumentet e sekuestruara nga prokuroria tregonin se Ylli Pinari, ish-drejtori i “MEICO”-s që prej vitit 2006, ka marrë me koncesion thuajse të gjithë linjën prodhuese të Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Bazuar në dokumente autentike që prokurorët ia gjetën në kompjuterin e të birit, Ylli Pinari rezulton si “golashënuesi” i një skeme tërësisht korruptive. Historia nis me fillimvitin 2005, kohë kur Ylli Pinari iu drejtua një studioje ligjore angleze të quajtur “VENZEL” e ku i kërkonte që kjo studio të regjistronte në ishullin offshore të Seishellit, një kompani në emër të tij. Zoti Pinari, madje, ka bërë dhe pagesën prej 1300 dollarësh amerikanë kundrejt studios ligjore dhe në vitin 2005, përveçse drejtor i ndërmarrjes “MEICO”, ai rezultonte dhe pronar i kompanisë së regjistruar në Seishell, të quajtur “Helmtech Development”. Po çfarë ishte kjo kompani? Cili ishte qëllimi i saj? Përgjigjja na vjen sërish nga laptopi plot “xhevahire” i Ylli Pinarit. Në kompjuterin e tij janë gjetur disa kontrata të lidhura nga kjo firmë e Pinarit me Kombinatin Mekanik të Armatimeve në Poliçan, ku drejtorët e Kombinatit rezulton se i kanë kaluar kësaj kompanie private disa linja prodhimi me koncesion. Janë të paktën tri kontrata të ndryshme të gjetura në dokumentet private të zotit Pinari që tregojnë se firma “Helmtech Development” kishte marrë tri herë radhazi me koncesion dhe kontrata enfiteoze pjesë dërrmuese të linjave të prodhimit të Kombinatit të Armatimeve në Poliçan. Kontratat janë lidhur nga dy drejtorë të Kombinatit dhe një shtetas amerikan që firmoste si menaxher për llogari të kompanisë që Pinari e kishte në pronësi nga ishujt Seishell. Korrespondenca e drejtorëve të Kombinatit me disa drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe me Pinarin (në rolin e drejtorit të “MEICO”-s) të lë të kuptosh se zoti Pinari nuk është se e ka ndërtuar këtë skemë “me kokën e vet”. Vlen për t’u theksuar fakti se këto dokumente nuk u gjetën në zyrën shtetërore të Pinarit, por në laptopin që djali i tij e mbante në shtëpi. Por firma “Helmtech Development” rezulton se ka blerë në Shqipëri dhe një sasi të konsiderueshme raketash të tipit “Katjushka”. Pas shpërthimit në Gërdec, zotit Pinari iu regjistrua edhe një bisedë telefonike me ish-shefin e Shërbimit Informativ Ushtarak (Hysni Gjergji), ndërsa ky i fundit e udhëzonte Pinarin që të hiqte pa humbur kohë “ato dokumentet shumë të rëndësishme që vetëm ata i dinin”. Por ja që dokumentet që Pinari zhduku nga zyra prokurorët ia gjetën në shtëpi. Organi i akuzës vendosi t’i depozitojë në gjykatë këto dokumente bashkëngjitur dosjes “Gërdeci” dhe duket se ekspertët e prokurorisë kanë vlerësuar se paraqitja e këtyre kontratave dhe dokumenteve nuk përbën ndonjë sekret shtetëror.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›