E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi kërkon Ibrahimoviçin



Është Çelsi e ardhmja e mundshme angleze e Zlatan Ibrahimoviçit, i kërkuar direkt nga trajneri i ri i “Bluve” londinezë, Karlo Ançelotit. Ish-trajneri i Milanit ka humbur “betejat” për të pasur në shërbim të tij, Kakanë, David Vijën e Karlos Tevezin, ndërkohë që synon tani kampionin suedez të Interit. Në merkaton verore, sipas asaj që shkruan “Daily Express”, miliarderi rus Roman Abramoviç dëshiron të blejë të paktën një yll si dhuratë për trajnerin e ri të tij, dhe suedezi do të ishte kampioni ideal. Mbërritja e Ibrës do të ishte edhe zgjidhja ideale për të mbuluar edhe pezullimin e gjatë të mundshëm të Didier Drogbasë, pas skenave në fund të ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës. Sulmuesi i Interit është shndërruar në objektivin e parë të “Bluve”, pasi Tevez është shumë më pranë Mançester Sitit dhe është larguar shumë nga pista “Stamford Bridxhe”.

RIBERI
Çelsi nuk i ka humbur akoma shpresat për të bërë të sajin Frenk Riberinë, për të cilin duhet të fitojë edhe konkurrencën e Realit të Madridit. Sipas “The Sun”, në fakt, është “Los Merengues”, destinacioni i preferuar i mesfushorit francez, për të cilin – sipas spanjolle “As” – Reali është gati për një mega-ofertë prej 55 milionë eurosh. E pabesueshme, por për Riberinë pak gjasa ka që të ekzistojë pista Mançester Junaitid: Aleks Ferguson nuk dëshiron të derdhë shifra të mëdha për lojtarë 26-vjeçarë. Në aksin Londër-Madrid regjistrohet së fundi edhe oferta e Totenhemit për treshen Arjen Robben, Klas-Jan Huntelar dhe Gabriel Heinze Presidenti i “Spurs”-ave, Daniel Levy, gjatë ditëve të fundit në Spanjë ofroi 42 milionë euro. Nga ana tjetër, Uest Ham, është në tratativa për të finalizuar huazimin e Mansinit. Anësori brazilian nuk është i vetmi lojtar i Interit, por edhe kiliani Luis Himenez mund të jetë në skuadrën e Xhanfranko Zolës. Sipas “The Times”, dy zikaltërit mund të mbërrijnë në huazim njëvjeçar, me të drejtën e blerjes të fiksuar në 25 milionë euro. Skot Daksbëri, drejtori i përgjithshëm i Uest Hemit, kaloi fundjavën e kaluar në Itali në shoqërinë e drejtorit teknik të Interit, Xhanluka Nani për të kompletuar detajet e fundit të tratativës.

Ronaldo, pagë 13 milionë euro

Reali i Madridit mund të paguajë Kristiano Ronaldon me një pagë të rëndë prej rreth 13 milionë euro në sezon, me e lartë në botë. Lajmin e bëri të ditur gazeta “Marca”, që shton se tratativa është në proces. Lojtari portugez i blerë për rreth 94 milionë euro nga Mançester Junaitid, ku fitonte, sipas “Marca”-s, 7.5 milionë euro bruto në sezon. Ronaldo do të bëhej lojtari më i paguar, ndërkohë që Zlatan Ibrahimoviç do të zbriste në vendin e dytë me 12 milionë euro bruto.

Reali, nëntë në merkato

Për t’u bërë vend blerjeve të reja, Reali i Madridit ka nxjerrë në merkato nëntë lojtarë, midis tyre gjashtë holandezë. Është gazeta “As” ajo që publikuar listën e tyre: Shnajder, Huntelar, Van Nistelroj, Roben, Drente, Van der Vaart, Saviola, Heinze dhe Diarra. Për këtë të fundit ka një interesim nga Juventusi, që mund të bëjë një ofertë prej 20 milionë eurosh.

Spanja, 14 fitore rresht

Spanja regjistroi fitoren e 14-të rreshy duke zënë njëkohësisht dhe një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave, pasi mundi 1-0 Irakun. David Vija gjarpëroi midis dy mbrojtësve për të mposhtur portierin irakian Mohamed Kasid në minutën e 55-të, duke realizuar edhe golin e vetëm të takimit. Spanja barazoi Brazilin, Francën e Australinë, si të vetmet ekipe që kanë arritur 14 fitore rresht dhe tashmë është vetëm një ndeshje larg brazimit të rekordit të mbajtur nga Brazili, me 35 ndeshje pa humbje. Një fitore kundër vendasve të Afrikës së Jugut, do ta bënte Spanjën ekipin e parë që do të realizonte 15 fitore rresht. Spanja udhëheq grupin A me gjashtë pikë, ndërkohë që Iraku mbeti në kuotën një. Afrika e Jugut dhe Zelanda e Re luajnë ndeshjen tjetër të këtij grupi.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›