Skandali, Breçani nisi punën në Poliçan pa pritur urdhrin e ministrit
Falsiteti i urdhrave në Ministrinë e Mbrojtjes, Mediu e emëroi pasi kishte nisur punën. Uzina e Poliçanit refuzoi të demontonte predhat e Gërdecit duke deklaruar se dilte me humbje
Tiranë - Ekspertja kontabël, Shpresa Breçani, e dinte që një muaj para ministrit të Mbrojtjes se ajo do të auditonte aktivitetin financiar në Uzinën Mekanike të Poliçanit. Të paktën dokumentet kështu flasin. Në datën 25 janar 2008, zonja Breçani lidhi një kontratë pune me këtë fabrikë për auditimin e aktivitetit financiar. Por çuditërisht urdhri i ministrit, që do t’i hapte rrugë nënshkrimit të kësaj kontrate, erdhi një muaj më vonë, më konkretisht më datë 28 shkurt 2008. Është pikërisht ky urdhër që mban firmën e ministrit, i cili përcakton se zonja Breçani do të ishte ekspertja kontabël e auditimit të pasqyrave financiare për Uzinën Mekanike të Poliçanit dhe për ndërmarrjen “MEICO”. Përveç faktit se ky urdhër rezulton fiktiv, pasi është hartuar një muaj pasi zonja Breçani ia kishte nisur punës, mes rreshtave të urdhrit gjendet dhe një rastësi e interesante. Në pikën 3 të urdhrit është përcaktuar se “ekspertët kontabël të autorizuar për certifikimin e llogarive vjetore të ndërmarrjeve të hartojnë një opinion dhe një raport të zgjeruar për punën e kryer, një kopje e veçantë e të cilave të depozitohet me llogaritë vjetore në Drejtorinë e Planifikimit, Programimit dhe Buxhetimit në Ministrinë e Mbrojtjes brenda datës 15 mars 2008”. Data finale e përcaktuar në urdhër përkon me datën finale të aktivitetit kriminal në Gërdec. Kjo është data e shpërthimit, ku humbën jetën 26 njerëz. Megjithatë, dokumentet tregojnë se zonja Breçani e dorëzoi këtë raport në muajin maj, pra rreth 2 muaj pas ngjarjes së Gërdecit. Ky fakt të lë të kuptosh se dy muaj pas ngjarjes dhe në shkelje të afatit kohor të caktuar nga ministri, mbesa e kryeministrit kopsiti ekspertimin financiar për armatimet.
Poliçani
Uzina e Poliçanit ka luajtur një rol të dorës së parë në favorizimin e ndërmarrjes private “Albademil” për demontimin e armatimit dhe municioneve në Gërdec. Drejtuesit e kësaj uzine kanë dhënë mendimin e tyre (pasi janë pyetur nga Ministria e Mbrojtjes) lidhur me pamundësinë e tyre për të kryer demontimin. Prokuroria, nga ana e saj, gjatë hetimit, caktoi një ekip ekspertësh për verifikimin e këtij fakti. Raporti i ekspertëve financiarë, që është marrë posaçërisht me studimin e praktikës juridiko-financiare të demontimit në 3 vitet e fundit, tregon se në të vërtetë uzinat shtetërore jo vetëm kanë pasur mundësi të kryenin këto demontime, por madje, në shumë raste, ato janë lutur për ta bërë një gjë të tillë. “Mes MEICO-s dhe Kombinatit Mekanik në Poliçan ekziston një kontratë shërbimi pa afat kohor. Kjo kontratë mban datën 5 maj 2003, e protokolluar nga MEICO me nr. 602/409 për demontimin e dy tipave të shtimjeve; shtimjet 85 mm dhe shtimjet 10 mm në sasinë prej 131 mijë e 908 copash, me çmime përkatësisht 300 lekë copa dhe 690 lekë copa”, - shkruhet në raportin e ekspertëve financiarë që kanë studiuar fitimet dhe kostot nga procesi i demontimit. Në raportin e ekspertëve gjendet një paragraf shumë i veçantë.
Falsiteti
Ky paragraf nxjerr në dritë të diellit përgjigjet fiktive dhe të gënjeshtërta të drejtorëve të uzinave shtetërore që nënshkruan se nuk dilnin me fitim nga procesi i demontimit. Por vetëm pak kohë para se këta drejtorë të kishin dhënë këto përgjigje, të njëjtët kishin deklaruar zyrtarisht fitime të majme nga ky proces. “Kombinati, me shkresën nr. 1127 datë 22.08.2007, e cila bën fjalë për koston e demontimit të disa municioneve, midis të tjerave koston e shtimjes 37 mm e ka llogaritur me humbje 61.984 lekë/copa, ndërsa në janar të vitit 2007, me shkresën nr. 1008 të datës 31.01.2007, që i referohet një tjetër shkrese të Ministrisë së Mbrojtjes për këtë kalibër. Kombinati e ka llogaritur me fitim prej 9 mijë e 841 lekësh copa. Për një periudhë 9-mujore kemi dy kosto të ndryshme kur kushtet e Uzinës nuk kanë ndryshuar aspak gjatë këtij intervali. Diferenca është e thjeshtë”, - shkruan raporti i ekspertëve.
Sot ngelet ende i panjohur fakti se çfarë ka thënë në raport nga ana e saj ekspertja kontabël Shpresa Breçani lidhur me shprehjen e pamundësisë nga krerët e Uzinës së Poliçanit për demontimin e municioneve.
Breçani, eksperte kontabël edhe për bizneset e Damir Fazlliçit
Ekspertja kontabël, Shpresa Breçani, rezultoi pak kohë më parë si një ndër auditueset e firmave të biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Madje, pas lajmërimit të këtij fakti, Breçani mohoi gjithçka, ndërsa të nesërmen mediat botuan dokumentet zyrtare, të cilat tregoni një histori tjetër nga ajo që kishte paraqitur Breçani në reagimin e vet. “Duke qenë një profesioniste e fushës së auditit, ligji nuk më kufizon për të bërë çdo audit në një treg të hapur dhe konkurrent të kësaj fushe, por dua të sqaroj qartësisht opinionin se nuk kam pasur asnjë lidhje me firmat e biznesmenit Damir Fazlliç, nuk kam mbajtur dhe as nuk kam audituar asnjë nga këto kompani, edhe pse ma lejon ligji. Kjo mund të konfirmohet qartë dhe pa asnjë vështirësi nëpërmjet dokumentacioneve që depozitohen në disa institucione shtetërore siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve etj.”, - është shprehur Breçani në reagimin e saj për këtë çështje.
Megjithatë, vetëm një ditë më vonë në media u publikuan dokumente që tregonin se e vërteta ishte ndryshe. Dokumentet tregonin se figuron eksperte kontabël e miratuar në shoqërinë "Alfa" sh.p.k., e cila ka për ortak të vetëm dhe njëkohësisht administrator boshnjakun e shumëpërfolur Damir Fazlliç. Në Nenin 8 të aktit të themelimit të shoqërisë, Shpresa Breçani figuron të jetë caktuar si eksperte e parë kontabël e shoqërisë “Alfa” sh.p.k., “me nr. licence 143, lëshuar më 29.12.2006”. Evidentimi i Breçanit në marrëdhëniet me Fazlliçin edhe atëherë shërbeu në një farë mënyre për të “mbyllur qarkun” e kësaj çështjeje të shumëpërfolur, ku biznesmeni kontrovers rezultoi se bënte biznes duke pasur administrator të kompanive kunatin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha dhe duke pasur studio legale atë të vajzës së kryeministrit. Fazlliçi rezultoi se kishte fituar nëpërmjet të ortakërisë së tij me firmën “Rudnap” dhjetëra miliona euro nga tenderët e importimit të energjisë elektrike, ndërsa ai vetë deklaroi se kishte fituar 50 milionë euro nga blerja e tokave në Porto Romano me çmim shumë të ulët. Këto toka morën një vlerë shumë të madhe kur miku i Fazlliçit, kryeministri Berisha, e shpalli Porto Romanon si zonë industriale dhe Fazlliçi nisi shitjen e tokave me vlerë disa fish. Prokuroria nisi dhe një hetim ndaj biznesmenit serbo-boshnjak, por ky hetim u pushua pasi prokurorët ishin të varur nga mbërritja e disa letër-porosive nga Bosnjë-Hercegovina, Londra, Qiproja dhe Zvicra. Këto letër-porosi nuk mbërritën asnjëherë.
Përgjimi i Pinarit, skenari i zhdukjes së inventarëve
Inventarët duheshin zhdukur një orë e më parë. Ato do t’i hiqte nga zyra e “MEICO”-s një person i quajtur Xhelal, ndërsa operacionin e ideuan Ylli Pinari dhe Hysni Gjergji, ish-shefi i “MEICO”-s dhe ish-shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak.
Gazeta “Albania” zbardhi pak kohë më parë të plotë bisedën mes dy zyrtarëve, të kryer më 17 mars 2008, ndërsa përmbajtja është fare e qartë: po organizohej zhdukja e çdo gjurme të mundshme. Publikimi i kësaj bisede duket se i vë vulën në mënyrë të dokumentuar faktit se zyrtarët shqiptarë i kanë trajtuar dokumentet shtetërore si blloqe personale shënimi duke i zhvendosur, zhdukur apo fshehur vetëm me një telefonatë, procedurat ishin harruar me kohë prej tyre. Nga ana tjetër, raporti i ekspertëve të pajtuar nga Prokuroria e Përgjithshme për të bërë analizën e kostos, fitimit dhe fitimit të munguar si pasojë e mashtrimit dhe abuzimit të organizuar shtetëror ka konkluduar se nga tolerimet antiligjore të ndërmarrjes “MEICO”, demontimi në Gërdec i solli dëme qindra miliona euro shtetit shqiptar.
Ekspertët që kanë analizuar deri në detajet më të imtësishme praktikën ligjore dhe faturat e shitblerjes, kanë konkluduar se dëmi neto i provuar katërcipërisht është rreth 200 milionë euro vetëm në një vit intensiv aktivitet të Fabrikës së Gërdecit. Por ekspertët nuk kanë harruar të shtojnë në raport se kjo shifër presupozon vetëm një dëm të provuar, pasi në radhë të parë shumë sasi municioni mendohet se janë çuar në Fabrikë në mënyrë të padokumentuar. Por ajo çka përbën dhe konstatimin më serioz lidhet me diferencën e thellë mes çmimit të blerjes në Shqipëri dhe çmimit të shitjes në tregjet ndërkombëtare. Vetëm në gjashtë muajt e fundit të aktivitetit të kësaj fabrike çmimi i tunxhit u trefishua në tregjet ndërkombëtare, çmimi i skrapit u rrit me 80 për qind, ndërsa çmimi i barutit u dyfishua.
18 Qershor 2009