E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, demokratët marrin 4 deputetë

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

Gjysma e qendrave të votimit në Qarkun e Dibrës u numëruan ditën e djeshme, duke nxjerrë në favor Partinë Demokratike. Megjithëse procesi vazhdon dhe ka ende zona të panumëruara, mendohet se ato nuk do të kenë ndikim shumë të madh në përcaktimin e fituesit. Rreth orës 22:00, PD kryesonte me mbi 49 %, PS me 30 % dhe LSI me mbi 5%, çka do të thotë se demokratët mund të kenë 4 deputetë, ndërsa socialistët 2. Procesi i numërimit të votave për 6 deputetët e Qarkut të Dibrës ka nisur në orët e para të ditës së djeshme. Shkak për nisjen me vonesë të procesit ka qenë mbërritja me vonesë e materialeve zgjedhore, nga zonat e thella të Lurës, Kalasë së Dodës, Xibrit, Macukullit, Derjanit, etj. Ndërkohë marrja në dorëzim e materialeve ka zgjatur për shumë në rrethin e Dibrës, për shkak të numrit të lartë të qendrave të votimit. Komisionerët e 150 qendrave të votimit kanë pritur në radhë për orë të tëra, madje deri në të gdhirë, në pritje të dorëzimit të kutive të votimit dhe materialeve të tjera. Ndërkohë KZAZ nr.7 Bulqizë ka vendosur shtyrjen e procesit të numërimit, pasi anëtarët kanë rënë dakord të pushojnë për 2-3 orë dhe më pastaj në nisin procesin e numërimit të votave. KZAZ nr.6 Mat rreth orës 01:00 të ditës së djeshme ka nisur procesin e numërimit, në prani të 6 grupeve të numërimit, me përfaqësues nga PD, PS, LSI dhe PDK. Binte në sy fakti se komisionerët e numërimit të votave ishin të patrajnuar dhe u është dashur shumë kohë për të studiuar ligjin dhe manualet që tregonin procedurat që këto komisione duhet të ndiqnin. Nga të dhënat e siguruara mbrëmë, në KZAZ-të e Qarkut të Dibrës mësojmë se rreth orës 20 të ditës së djeshme ishin numëruar 35 qendra votimi, nga 150 që ka ky rreth. Kryesonte Partia Demokratike me 3456 vota, e ndjekur nga Partia Socialiste me 2034 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim në këto qendra votimit ka siguruar 301 vota dhe Partia Lëvizja e Legalitetit 129 vota. Numërimi i votave nuk është kryer sipas njësive vendore, por KZAZ ka vendosur numërimin sipas radhës së mbërritjes së kutive të votimit. PD ka afro dy herë më shumë vota sesa PS, ndërkohë që 115 qendrat e mbetura të votimit nuk dihet nëse do ta ndryshojnë rrjedhën e këtij rezultati, pasi nuk mund të thuhet se kutitë e mbetura u përkasin bastioneve të partive të ndryshme. Në rrethin e Bulqizës nga 70 kuti votimi janë numëruar deri rreth orës 20:00, 36 kuti. Edhe në këtë rreth Partia Demokratike ka siguruar 2829 vota, PS 2424 vota, LSI 700 vota dhe LZHK 390 vota. Bie në sy fitorja e PS në komunën e thellë të Martaneshit, me afro 100 vota më shumë sesa PD-ja. Gjatë natës pritet të numërohen kutitë e votimit të komunave Shupenzë e Zerqan. E para njihet si bastion i socialistëve dhe e dytë si mbështetëse e të djathtës. Pra, edhe pas numërimit të votave të këtyre njësive vendore, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Në rrethin e Matit deri mbrëmjen e kaluar janë numëruar 60 kuti votimi, nga 95 që ka ky rreth. Partia Demokratike ka siguruar 7300 vota dhe Partia Socialiste 5200 vota. Në mbrëmje ka vijuar numërimi në Bashkinë e Klosit, që njihet si bastion i PD-së, pasi kryetari i kësaj bashkie konkurron për deputet. Po ashtu nuk janë numëruar votat e komunave Macukull e Rukaj, të drejtuara nga PD-ja e PLL-ja dhe komuna Suç, nga e cila socialistët presin një rezultat më të mirë. Në rrethin e Matit, në 60 qendrat e numëruara, LSI ka siguruar 1097 vota, ndërkohë PLL e forcat e tjera politike kanë siguruar më pak vota. Qarku i Dibrës do të nxjerrë 4 deputetë.

qarku DIBER

Alenca e Ndryshimit

PD    22.298 vota
PR    1286 vota
PAA    278 vota   
PDI    23 vota   
PAD    162 vota   
BLD    495 vota
PLL    1333 vota
AMIE    7 vota   
PADS    28 vota
PBK    4 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    14243 vota
PSD    480 vota
PDS    167 vota   
PBDNJ     194 vota    G99    239 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI    2555 vota
PSV     67 vota

188 qendra nga 318 gjithsej

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›