Qarqet ku pritet të kandidojnë Milo dhe Gjinushi
Zbardhen qarqet në të cilat pritet të kandidojnë për të marrë mandatin e deputetit krerët e dy partive aleate të PS-së, Skënder Gjinushi i PSD-së dhe Paskal Milo i PDS-së. Vetë kreu i PSD-së ka vendosur që të kandidojë në 3 qarqe. Qarqet që ai ka vendosur janë Tirana, Elbasani dhe Vlora. Ndërsa aleati tjetër i PS-së, kreu i Partisë Demokracia Sociale, ka vendosur për të kandiduar në katër qarqe: Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Dibër. Kryetarët e këtyre forcave do të jenë në krye të listave për deputetë në këto qarqe. Ajo që vihet re është kandidimi i tyre në qarqet më të mëdha. Nga burime të brendshme mësohet se edhe mundësitë e këtyre forcave për të marrë më shumë vota janë në këto qarqe, prandaj edhe strukturat partiake i kanë përqendruar më shumë forcat në këto zona zgjedhore. Zyrtarizimin e listës së kandidatëve PSD-ja pritet ta bëjë në Kongresin e saj, më 30 prill, ndërsa PDS-ja do t’i zyrtarizojë më 25 prill, kur do të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare e kësaj partie. Gjatë një takimi të zhvilluar dje, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi se koalicioni i majtë do të marrë mbi 71 deputetë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Këto deklarata Gjinushi i bëri në prezantimin e kandidatit të kësaj partie në qarkun e Lezhës. Për këtë qark do të kandidojë Mark Përlleshi. Ai shprehu bindjen se në zgjedhjet e qershorit fitorja do t’i takojë së majtës. Sipas tij, PSD-ja do të jetë përcaktuese në fitoren e koalicionit të majtë. “Qarku Lezhë është ai që do të përcaktojë që e majta të ketë mbi 71 deputetë në zgjedhjet e qershorit, duke mos u dhënë shpresë atyre që presin të bëjnë pazare paselektorale”, - ka theksuar Gjinushi nga Lezha. Kryetari i PSD-së paralajmëroi se qëndrimi i Berishës në pushtet do të ishte qëndrim mbrapa. “Në 2005-n i paralajmëronim se rikthimi i Berishës është rikthim mbrapa. Sot i paralajmërojmë se qëndrimi i Berishës është qëndrim mbrapa”,- u shpreh Gjinushi. Kreu socialdemokrat e quajti bashkëpunimin e ri si një bashkim të ri, bashkim që sipas tij do t’i sjellë fitoren së majtës. Gjinushi u shpreh se PSD-ja i ka qëndruar gjithmonë besnike së majtës dhe nuk i ka zhgënjyer votuesit e saj.
22 Prill 2009