E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët bojkotojnë komisionet parlamentare, maxhoranca voton e vetme ligjet



Socialistët kanë bojkotuar dje punimet e komisioneve parlamentare. Deputetët e PS-së nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe as në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Ndërkohë që maxhoranca ka votuar e vetme ligje të rëndësishme, që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Drejtësisë, deputetët e maxhorancës miratuan ligjin “Për Gjykatën Administrative”. Por shumica e neneve të ligjit u miratuan sipas draftit të paraqitur në Kuvend nga Partia Socialiste. Kështu, neni 4 i projektligjit, i cili gjatë mbledhjeve të kaluara kishte shkaktuar jo pak debate, u miratua sipas variantit të PS-së. Sipas këtij neni, në të gjithë vendin do të hapen 6 gjykata administrative në ato rrethe ku ka gjykata apeli. Ky nen zëvendësoi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku ishte parashikuar hapja vetëm e një gjykate administrative me qendër në Tiranë dhe disa seksione në rrethe. Po kjo është kundërshtuar ashpër nga PS-ja, që ka pretenduar se në këtë mënyrë mund të kontrollohej më kollaj kjo gjykatë nga ministri i Drejtësisë. Gjatë mbledhjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve ishte i pranishëm nga opozita vetëm deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili sqaroi pozicionin e tij duke thënë se ai është relator i projektligjit, ndaj merr pjesë në mbledhje.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›