E Diel, 1 Nëntor 2026

Qasjet e ndryshme ndaj lypësve, tregojnë kompleksitetin e çështjes

Prishtinë, 11 gusht - Shumë nga familjet më të varfëra të Kosovës i qasen lypjes së lëmoshës. Metodat që i përdorin janë afrimi në rrugë, me një gjuhë trupore dhe pamje për të maksimizuar gjasat për të marrë ndonjë lëmoshë. Shumë nga ta po ashtu jetojnë nëpër ca objekte që nuk përmbushin thuajse as nevojat bazë.
Pyetja se çfarë duhet bërë me këta njerëz në përgjithësi është po aq e vështirë sa edhe si të silleni kur ndesheni me një lypës.
Sipas Mirlinda Gojanit, përfaqësuese e Shoqatës Nëna Tereza, 37 për qind nga 2 milionë qytetarë të Kosovës konsiderohen të varfër. Prej tyre 15 për qind jetojnë në “varfëri ekstreme”, me të ardhura ditore prej 93 cent apo më pak për person, ndërkohë situata duket se nuk po shkon nga përmirësimi.
Skenën e lypësarve në Prishtinë e përshkon shfrytëzimi. Fëmijët lypsarë në rrugë mund të ndahen në dy grupe: “lokal, të cilët vijnë nga fshatrat përreth qyteteve, dhe ata të abuzuarit të cilët punojnë për bosat,” thotë Gojani.
Katëgoria e parë përfaqëson lypsjen më tradicionale, “më të pafajshme”- ata që nuk kanë alternativë tjetër pos të kërkojnë para të imëta nga të panjohurit. Kategoria e dytë përbën një varg të atyre të cilëve u nënshtrohen këta fëmijë – prej prindërve deri tek nxitësit, thotë ajo.
Ky shfrytëzim ua ka tërhequr vëmendjen autoriteteve lokale dhe OJQ-ve.
Më 2008, në një fushatë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe OJQ “Terre des Hommes” qytetarët inkurajoheshin që të mos i jipnin para fëmijëve të rrugës, në mënyrë që në njëfarë mënyre të zvogëlohej “furnizimi” dhe me të edhe “kërkesa”.
Ndryshimi në ndërveprimin e shoqërisë me lypësit është identifikuar si qasja më efektive për të ndikuar pozitivisht në këtë gjendje. Përfundimi i arritur është se efekti që do të prodhohej do të ishte eliminimi i të ardhurave nga lypja.
Në një broshurë të OSBE-së nga viti 2009 qarkullonte ideja e njëjtë. Në broshurë shkruante: “Lypja e fëmijëve është një formë e shfrytëzimit të fëmijëve dhe e kundërligjshme. Mos iu jepni para lypësve fëmijë. Mos e mbështetni eksploatimin e fëmijëve.”
“ Njerëzit që jetojnë në Kosovë, të njohur për nga zemërgjërësia e tyre, duhet të kuptojnë se me dhënien e parave këtyre fëmijëve lypsarë nuk po i ndihmojnë ata, por po i inkurajojnë keqbërësit që të vazhdojnë abuzimin dhe eksploatimin e fëmijëve,” thotë Wolff-Michael Mors, drejtor i Departamentit për të Drejtat e Njerëzve dhe të Komuniteteve në OSBE.
Asnjë aktivitet tjetër e këtyre familjeve nuk është më i levërdijshëm se dërgimi i fëmijëve lypsarë në rrugë. Sipas Gojanit, shkaku i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë, alternativë tjeter që u mbetet lypsarëve, është gërmimi nëpër grumbujt e mbeturinave dhe mbledhja e gjësendeve metalike. Ndërkohë që fëmijët lypin nëpër rrugë, të moshuarit rëndom e kalojnë kohën duke gërmuar në mbeturina.

Jetesa nga kontenjerët e mbeturinave është një praktikë e zakontë për të varfërit. Gojani rrëfen se si në Gjakovë, 200 metra larg deponisë së mbeturinave, gjendet një vend që njerëzit e quajnë “koloni”. është ky vendbanim i komunitetit RAE-vë, termi që zakonisht përdoret kur i referohet qytetarëve të përkatësisë rome, ashkali, dhe egjiptase, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të të varfërve të Kosovës.
“Nëntëdhjetë për qind e familjeve në këtë ‘koloni’ jetojnë prej kontenjerëve të mbeturinave. Meqë po e vret syrin, qyteti planifikon ta heq këtë deponi mbeturinash. Një njeri që jeton aty në ‘koloni’ më tha se ‘nësë hiqet kjo deponi mbeturinash, më mirë është të më vrasësh menjëherë,’ sepse ai dhe të tjerët si ai sigurojnë ushqimin nga aty,” shpjegon Gojani.
Shembujt si ky i kolonisë në Gjakovë, e ndërlikojnë qasjen që punëtorët e OSBE-së e kanë në luftimin e simptomeve të varfërisë. Bastisja e lypësve dhe eliminimi i vendeve ku ata lypin mund ta ndryshojnë situatën, por kjo po ashtu i lë disa pa ushqim.
Për këtë arsye, Gojani nuk është e sigurt athua ndalimi i lypjes do të shkakonte më shumë të këqia apo të mira. Megjithatë, ajo favorizon “Ligjin për Punë”, me të cilin çdo kujt nën 15 vjeç do t’i ndalohej të punonte me orar të plotë. Kjo do të ishte një mënyrë për të ndihmuar në reduktimin e lypjes së fëmijëve.
Gojani gjithashtu sheh probleme edhe me kontekstin politik në kuadër të cilit dërgohen paratë dhe ndihmat në Kosovë.
“Organizatat ndërkombëtare kanë agjendat e tyre. Ata nuk po i implementojnë prioritetet që bazën e kanë në komunitet. është vështirë të përgjithësohet, por organizatat ndërkombëtare janë tërhequr nga aktivitetet humanitare,” thotë ajo.
Shumë OJQ tani përqendrohen në rikonstruktimin e Kosovës si një shoqëri multi-etnike nëpërmjet fasilitimit të kthimit të minoriteteve. Ajo shpjegon se Shoqata Nëna Terëzë po ashtu punon me kosovarët e rikthyer, edhe pse ky nuk është funksioni parësor i kësaj organizate.
Ndërkohë që vetëdijësimin ndërkombëtar për vështirësitë e jetës në Kosovë e dominon politika, sipas Gojanit, “vetëdija për këtë çështje lokalisht është shumë e vogël.” Ajo thotë se para luftës, njerëzit kujdeseshin më shumë për njëri tjetrin, por sjellja ka ndryshuar, sidomos kur është fjala për përgjegjësinë për të tjerët.
“Njerëzit nuk mërziten për fqinjët e tyre, ata janë më vetjak,” thotë ajo.
Mungesa e vetëdijes apo brengës nuk janë faktorët e vetëm që e vështirësojnë eliminimin e varfërisë. UNDP-ja vlerëson që papunësia në Kosovë është mbi 40 për qind.
Edhe pse pjesa dërrmuese e aktivitetit të Shoqërisë “Nëna Terezë” zhvillohet në formë të ofrimit të ndihmave të menjëhershme, Gojani thotë që mënyra më e mirë për të ulur varfërinë është të krijohen më shumë vende pune, që është një zgjidhje më afatgjate.
“çdo ditë jemi në terren duke mbledhur informata dhe duke ofruar ndihma, por mund të vëresh se ata nuk duan të marrin ndihma,” thotë ajo. “Ata janë të aftë për punë“.

(Sam Aden është reporter praktikant në KosovaLive këtë verë, në bashkëpunim me Universitetin e Miamit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›