E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quint’i në aksion kundër propozim-rezolutës serbe

Prishtinë, 11 gusht - Sjellja e Serbisë pas shpalljes së opinionit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, sidomos deponimi i propozim-rezolutës në OKB, ka nxitur mobilizimin e shteteve anëtare të Quint’it në mbështetje të shtetit të ri.

Përfaqësues nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë mbajtur një seri konsultimesh në New York për koordinim të aksioneve për njohje të reja për Kosovën, si dhe për pengim të propozim-rezolutës serbe, ka mësuar gazeta Express nga dy burime diplomatike.

Arsyeja kryesore për angazhim të shtuar të anëtarëve të Quint’it është qëndrimi befasues i Beogradit që edhe pas verdiktit të Gjykatës së Hagës të insistojë në negociata për statusin politik të Kosovës.

Serbisë i është tërhequr vërejtja para 22 korrikut që të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm pas vendimit të GJND-së, por Beogradi dëshmoi se nuk do t’i përfillë ato.

“Secili nga anëtarët e Quintit ka marrë një pjesë të barrës. Janë dërguar demarshe te shumë shtete që nuk kanë njohur Kosovën, por edhe disa nga ato që e kanë njohur. është kërkuar të njihet pavarësia e Kosovës dhe të mos i jepet mbështetje propozim-rezolutës së Serbisë”, ka thënë për Express një diplomat i lartë evropian në kusht anonimiteti.

Ky diplomat thotë se në këtë komunikim qeveritë e shteteve të Quint’it kanë përdorur një gjuhë tejet të fuqishme.

“Arsyeja se të gjitha shtetet e Quint’it përdorën gjuhë të fuqishme është se drafti serb i dërguar në Asamblenë e Përgjithshme me të vërtetë nuk ishte një gjë e mirë”, thotë ai.

Demarshi është mënyrë e komunikimit diplomatik përmes të cilit përcillet qëndrimi zyrtar i një Qeverie tek tjera.

Ky diplomat zbulon se përpjekja e anëtarëve të Quint’it për të bindur shtetet që ta njohin Kosovën është shumë e madhe. “Ambasadorët kanë marrë instruksione që në këto vende të angazhohen përtej demarshit. Të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me zyrtarë të qeverive përkatëse”, ka shtuar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›