E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfirmohet aktakuza ndaj Xhabir Zharkut e të tjerëve

Prishtinë, 11 gusht – Gjyqtari i procedurës paraprake i EULEX-it, Charles Smith III, e ka konfirmuar aktakuzën kundër kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharkut dhe të tjerëve, shkruan sot e përditshmja “Zëri”.

Sipas kësaj gazete, Xhabir Zharku, Arsim Kolshi, Besnik Hasani, Fikri Hasani, Afet Dalloshi, Nysret Cena dhe Nesim Currit, u konfirmohet aktakuza për pikën 1, për veprën penale të detyrimit, për pikën 2, për veprën penale të kërcënimit, kurse  Xhabir Zharkut dhe Arsim Kolshit edhe për veprën penale të pronësisë, kontrollit, posedimit apo përdorimit të paautorizuar të armëve.

Xhabir Zharku dhe të tjerët, siç shkruan sot “Zëri”, akuzohen se në bashkëveprim, si pjesë e një grupi kriminal, në data të ndryshme prej 26 korrikut deri më 1 gusht 2006, kanë kryer veprën penale të detyrimit, duke përdorur kërcënime ndaj Sheket Lurit, Xhelil Sumës dhe Azem Sumës, në mënyrë që të përfitojnë financiarisht. Rreth datës 27 korrik 2006, sipas aktakuzës, ata kërcënuan se do të vrasin palët e dëmtuara, nëse këta të fundit nuk tërhiqen nga tenderi i fituar nga AKM, Vala e 16-të për fermë delesh në sipërfaqe prej 32 hektarësh në fshatin Raka, komuna e Ferizajt.

Në seancën për konfirmimin e aktakuzës, Zharku dhe të akuzuarit e tjerë e kanë mohuar se ata kanë të bëjnë diçka me veprat që përshkruhen në aktakuzë, shkruan sot ndër të tjera “Zëri”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›