Bedri Spahiu: ǒmë tha Bahri Omari para pushkatimit
Afrim Imaj
“Ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Reagimi i Bahri Omarit para skuadrës së pushkatimit, kishte tronditur rëndë Bedri Spahiun. Vegimi trishtues do t’i qepej në sy për ta lënduar hera- herës si një plagë e hapur. Do t’i kthehej e rikthehej atij momenti prokurori i kunatit të Enverit disa herë, sidomos gjatë viteve të burgut. “More, ç’bëmë? Pse i vramë?”, do pyeste veten netëve të gjata të qelisë. Mesazhi i fundit i Bahri Omarit, shokut të fëmijërisë, kishte qenë i fortë, si vetë karakteri i tij. I fortë dhe domethënës. Kur bënte prokurorin, kishte pasur disa raste të tilla, por këtë herë, marrëdhënia e veçantë me viktimën, e bënte enigmën më komplekse. Gjithsesi, detyra e donte ta çonte deri në fund ballafaqimin me njeriun e afërt të Enverit që ishte shpallur rishtas armik i popullit. Bedri Spahiu që e njihte fort mirë logjikën e kohës, nuk mund të bënte ndryshe. Në ditarin e plotësuar gjatë viteve të burgut, ka me dhjetëra faqe me kujtime nga ditë-netët e përballjes me Bahri Omarin. Dialogu mes tyre kishte nisur që në vitet e luftës, kur ndanin mendime të ndryshme për mënyrën e reagimit ndaj okupatorit dhe rasti e solli të mbyllej te vendi i ekzekutimit. Në shënimet e Bedri Spahiut, bie në sy dyzimi i tejskajshëm për të shkuar te vendimi fatal. “Një natë para ekzekutimit, shkruan ai, më erdhi në zyrë gruaja e Bahriut. Dukej e lodhur dhe e tronditur. “Kam marrë vesh se nesër do t’i pushkatoni” - tha ajo. Po, ju përgjigja, duke i kujtuar vendimin e marrë. “Edhe tim shoq?” -shtoi me lot në sy. Të gjithë, pa përjashtim, i thashë. “Mos! E tmerrshme! E gjora unë...” u shpreh ajo me ngashërimë. Nuk mund të bëhet ndryshe, e sqarova duke i vënë përpara dokumentin me firmën e Enverit që mbaja në sirtar. Aty për aty i lashë të kuptonte se vetëm firma e tij mund të bënte mrekullinë. Nuk dija ç’ti thosha tjetër dhe e përcolla. Të nesërmen ndodhi ajo që ndodhi...”
Ditar (Burrel-Bënçë)
26 qershor 1968
Më erdhi në takim Preng Shoreti(nga Laçi). është rast i jashtëzakonshëm të vijë në takim një i huaj, bile i tillë është edhe për njerëzit më të afërt. Prengën e kam pasur ushtar në batalionin Kosova në vitin 1934 në kazermat e Ali Rizait. Kam shkuar mirë me të, bile përtej marrëdhënieve të thjeshta epror-vartës. Në korrik gusht 44 e takova në Bari të Italisë. Në nëntor 44 u kthye në Shqipëri dhe erdhi e më takoi në Berat ku kishim bërë qendrën në pritje të çlirimit të Tiranës. Në vitin 1947 më erdhi në Prokurori dhe më kërkoi t’i jepnim leje për përdorimin e një pushke. Mbaj mënd që ja dhamë...
23 qershor 1968
Spartaku (djali i madh-shënimi red.) ka ardhur ushtar në Burrel në repart pune. Jemi pra në një qytet, por shumë larg njeri tjetrit. Sot më erdhi në takim.
3 shtator 1968
Erdhi përsëri Prenga, megjithëse unë i kisha thënë të mos vinte. Tha se do të vinte përsëri, por më nuk u duk. Si e ka hallin?
25 nëntor 1969
Dje nuk na nxorën për ajrosje. Edhe sot gjithashtu. Ndodhemi para festave të nëntorit. Sivjet festohet 25 vjetori i çlirimit. Ajrosja në raste festash ndalohet. Këtë radhë kjo masë filloi më herët. Pas një të keqeje, prit edhe një të mirë. 24 nëntori na mbylli brenda, por 24 nëntori na solli duhan që kishim dy muaj pa të. Sot na erdhi dhe porosia tjetër: Erdhi vaji po nuk erdhi sheqeri e shkrepëset. Sot dëgjova emrat e Koço Tashkos dhe Spiro Lepurit...
8 dhjetor 1969
është e hënë. është dita më e mërzitshme e javës. Ditët e tjera vjen gazeta dhe thyhet monotonia e ditës. Pjesa e oborrit ku shëtis unë ka diell. Pjesa ku shëtitin pesë të dënuar të tjerë nuk ka diell, por ka vend për tu strehuar kur bie shi. Dielli dhe strehimi janë ndarë ndërmjet meje dhe atyre. Të mirat ndahen, ky është fakt, por na ruaj Zot sikur njeriu ta përgjithësojë. Jonuz Pirizua është i vetmi njeri që kam në birucë. Si njerëz nuk ja duam të keqen njëri-tjetrit. Si ish luftëtar të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare (qoftë edhe pse unë nuk e kam pas njohur) kemi një konsideratë të posaçme për njëri-tjetrin e megjithatë ne jetojmë duke i shkurtuar ditët (jetën) njëri-tjetrit se të dy jetojmë në një birucë të përbashkët. është një shkurtim jete e ngadalshme, e qetë, uniforme. Në një anë vrasim njëri-tjetrin me gazin karbonik që lëshojmë dhe në anën tjetër përvetësojmë oksigjenin e kurbaturës së birucës. është natë, sapo kaloi oficeri i rojës për apelin e mbrëmjes.
9 dhjetor 1969
Dëgjohen çelësat në dyer e gjitonëve. është zgjimi. Dera e parë që hapet është e Niko Shollës. është dënuar për vjedhje me 25 vjet. E kam njohur në kampin e Fushë Krujës. Në fillim dilnim për ajrosje në të njëjtën orë, pastaj Nikua nuk doli më në shenjë proteste pse nuk e çonin në kamp pune. “Jam, ordiner, thoshte, prandaj nuk mund të rri me armiqtë në një dhomë”. Ngrë batanijet. Një erë e qelbur shpërndahet nga trupi im i palarë që në verë. Ngre dyshekun dhe shikoj çimenton të lagur. Më kujtohet Vasil Partali në kaushin numër 5 të Tiranës. Kur pamë vendin e lagur një mëngjes kujtuam se mos kishte pshurrur natën pa e ndjerë. I ramë në qafë të shkretit plak. Për një çast mbeti në pozitë të keqe se nuk kishte si e justifikonte atë lagështirë poshtë dyshekut të tij dhe ne nuk kishte si ta shpjegonim ndryshe. Tani unë e shpjegoj. Avulli i nxehtë i trupit kalonte nga dysheku në çimento, këtu ftohej dhe kondensohej në ujë. Në qoftë se për disa ditë rresht nuk i ngre teshat, dysheku kalbet. Nuk ka filluar akoma i ftohti i madh. Këtu në dimër temperatura arrin minus 15 gradë celsius. Kështu fillon zgjimi në birucë. Po çfarë është zgjimi? Nuk e kam fjalën për zgjimin e një populli a të një klase, por për të përmendurit e njeriut nga gjumi. Gjithkush mund t’i përgjigjet në mënyra të ndryshme. Fëmija kur përmendet sheh se është në prehrin e nënës. I dënuari kujtohet se është dita e ekzekutimit. Dashnori kujtohet se është dita e martesës. Jonuzi me 80 vitet e jetës së tij kujtohet se qenka akoma gjallë dhe unë kujtohem se duhet zbrazur qypi i nevojës.. Dëgjoj llogaritarin Pandeli Zerecin që i kërkon leje rojës për të më futur brenda gazetën. Pas pak dëgjoj të hapet sporteli dhe të mbyllet përnjëherë. Brenda sportelit ka mbetur gazeta Zëri i Popullit, e datës 9 dhjetor 1969. E hap dhe lexoj në të për diktaturës e Frankos; “Madrid/ Gjashtë baskë që ndodhen në burgun e Burgasit shpallin grevë urie në shenjë proteste kundër keqtrajtimit të tyre dhe kundër urdhrit që i ndalon ata për të folur gjuhën baske gjatë takimeve me të afërmit e tyre.
25 dhjetor 1969
Erdhi Titi(djali i vogël) dhe më takoi në Burrel. Më lanë më në fund që ta puth nëpërmjet sportelit. Ishte i dobët sikur të ishte ngritur nga varri. Nuk kishte pallto të madhe dhe dridhej nga të ftohtit. Më tha se Nadua vazhdon të jetë sëmurë. Po të mendojë njeriu sa kanë vuajtur fëmijët e mi, po të mendojë privacionet e ushqimit, të veshjes në kushtet e dimrit, mungesat e tjera të strehimit, ilaçeve etj, duhet të çmendet në qoftë se nuk i pushon zemra nga dëshpërimi. Unë rezistoj dhe duhet të rezistoj. Si sot, në vitin 1964 më provokoi Skënder Shahollari (e kishin vënë sigurimsat) në burgun e Tiranës. Pikërisht për këtë i bëra letër njoftimi (promemorie) drejtorisë së burgut dhe Prokurorisë së Tiranës. Në këtë vit fillova të shkruaj testamentin që e përfundova dhe e nisa më 25 janar 1965. Si sot isha i izoluar në burgun e kalasë së Kaninës. Bënte tmerrësisht ftohtë. Isha vetëm. Hysen Backën me Nesim Starovën e kishin larguar në tetor. Tahir Demirin e kishin larguar para disa ditëve për në “spital”...
28 dhjetor 1969
Një çast po kujtoj vrasjen e Bahri Omarit. Ai para pushkatimit u thirri shokëve; “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Historia do të jetë përfundimisht gjyqtarja e epokës tonë, e asaj që bëmë mirë dhe e asaj që bëmë keq. Po historinë nuk mund ta shkruajmë tani për tani, kur jemi në peshën e efekteve emocionale. Madje për të as që do bëhet fjalë sa të jemi gjallë ne ish protagonistët e saj. Historia e vërtetë do fillojë të shkruhet pas vitit 2044. Pra një shekull më vonë nga periudha e triumfit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo do të jetë historia që do të mbetet. E ka thënë mirë Bahri Omari. Unë si ish kundërshtar i tij, i shtrohem gjyqit të historisë, gjyqit të brezave që do të kenë lindur pasi të kenë kaluar 100 vjet. Unë për vete i shtrohem në mënyrë të pakondicionuar gjykimit të brezave të shekullit pasardhës dhe shpërfill çdo gjykim të njëanshëm dhe tendencioz të gjeneratës tonë...
Jetëshkrimi i Bedri Spahiut, siç e shkroi me dorën e tij
“Si u dashurova dhe pse u divorcova me komunizmin”
“U linda më 13 korrik 1908 në një familje në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Nëna vdiq kur unë isha 10 vjeç. Babain në prill 1944 erdhën dhe e morën në shtëpi dy ballistë dhe e vranë në një përrua. Trupi nuk u gjet kurrë. Gjatë fëmijërisë time gjendja ekonomike e familjes ishte shumë e rëndë. Babai shkoi në kurbet (në Turqi). Përpjekjen e dytë e bëri më 1922. Gjatë kësaj kohe unë isha në shkollën fillore dhe deri më 1923 mbarova 4 klasë me nota të shkëlqyera. Prej pamundësisë ekonomike për të vazhduar gjimnazin, më 16 maj 1923 u nisa për Izmir, te babai. Ende pa u çmallur mirë, babai filloi të më fliste për “punë”. “Nuk kam ardhur për punë”- i thashë,- “por për të vazhduar gjimnazin”.I shkreti plak. Ai fliste me logjikën e jetës, por ishte një trokitje në portën e shurdhit. Pas disa kohe i them babait se një borshiot, Hidajet Xhuveli, kishte marrë përsipër të më fuste në shkollën Saleziane. Në pritje që të vinte shtatori për fillimin e shkollës, ai kërkonte nga unë si shpërblim që t’i mësoja djalit të tij shqip. Pra, mbarova shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mora dëftesën e lirimit, por plani im u hodh në erë nga doktori. Ai më këshilloi të ndërpres studimet sepse kisha anemi të theksuar. “Eshtë e pamundur!” -iu përgjigja. “Sigurisht” -më tha- “është keq të ndërpresësh studimet, por më mirë gomar i gjallë se sa doktor i vdekur!” I dëshpëruar kthehem tek babai dhe filloi të ruaj bagëtinë bashkë me të. Ndërkohë (aty nga korriku 1927) vjen në Izmir ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Reuf Ficua. Ju drejtova atij për një bursë nga shteti shqiptar. Ky i pa dëftesat me notat shumë të mira dhe m’u përgjigj. “Po” Nga mesi i shtatorit 1927 isha në Ministrinë e Arsimit në Tiranë në pritje të radhës për t’u futur tek Sekretari i Përgjithshëm. Sapo çela derën, sekretari brofi. “Bedriu!”-tha.- “Sa mirë që erdhe vetë. Na ka shkruar Reufi. E kam bërë aktin gati për gjimnazin e Shkodrës. Tani çoje vetë!” Ky ishte Thoma Papapanua, ai mësues i Gjirokastrës që më 1923 ndërmjetësoi te Javer Beu që të më jepej një bursë për të vazhduar shkollën. Fillova gjimnazin pas pesë vjetësh sorollatje. Në pranverën e vitit të dytë më erdhi fletë thirrja për ushtar. Drejtoria kërkoi shtyrjen derisa të mbaroja vitin shkollor. Thirrja ishte arbitrare, se unë isha djalë i vetëm dhe përjashtohesha nga shërbimi ushtarak. Ju drejtova Fuat Kikinos, kryetar i zyrës së rekrutimit, por pa dobi. Me të dalë nga kjo zyrë, ndeshem ballë për ballë me Pandeli Dilon një banor i lagjes time. “A të shkretën!”- ja bëri Pandeliu, kur mori vesh hallin tim. “Si nuk erdhe pak përpara! Për gjysmë ore kohe humbe një rast të mire”. Pandeliu më tregoi se në kazermat që ishin përballë, një vit më parë ishte çelur shkolla e oficerëve të artilerisë (me mësues oficerë italianë) dhe se si vjet ishte shpallur një konkurs për nxënësit e rinj dhe se gjysmë ore përpara kishte mbaruar afati i paraqitjes së lutjeve. “Megjithatë”-shtoi Pandeliu” -kapitenin e lashë në zyrë. Të shkojmë një herë. Mbase e pranon lutjen”. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës time. Duhej vendosur nëse do të pranoja të shkoja ushtar dhe, mbas të kryeja shërbimin, të flakesha në togun e të papunëve ose nëse do të pranoja të futesha në shkollën e artilerisë për të pasur pas dy vjetësh një rrogë të siguruar me shërbimin e urryer të oficerit. Pranova këtë të fundit dhe fillova shkollën e artilerisë. Por cili ishte ideali im në atë kohë? Për ta bërë të qartë këtë duhet të kthehem prapa, në periudhën kur jetova në Izmir. Në Turqi qëndrova 4 vjet e gjysmë, prej 16 Maj 1923 deri 15 Shtator 1927. Dy vjet i kalova në shkollë ku kisha siguruar fjetje dhe ushqim. Dy vjet e gjysmë bëra jetën e kurbetit. Kjo jetë ishte një luftë për strehim, për ushqim, për punë. Vajta në Izmir me idetë e nacionalizmit shqiptar, me mendime demokratike dhe republikane. Dashuria për njerëzit, dhembshuria për të vuajturit, pabarazia sociale, bënë punën e tyre. Shtojmë këtu edhe propagandën marramendëse sovjetike që hynte në atë kohë në Turqi. Unë përjetova në mënyrën më të natyrshme idetë e Revolucionit të Tetorit dhe u ktheva në Shqipëri me bindje komuniste. Tërë jetën ia kushtova komunizmit dhe u desh një praktikë e gjatë individuale dhe kolektive, në ndërtimin e shtetit dhe të jetës nacionale, për t’u bindur se kombi i çdo sistemi begatohet, por kamja dhe skamja riprodhohen brenda begatisë, se pavarësisht nga sistemi dhe nga shkalla e begatisë, Kombi është i detyruar të aplikojë shpërndarjen e diferencuar të të ardhurave kombëtare dhe të ketë një bashkëjetesë të formuar nga akumulues dhe punëtorë. Eshtë një bindje e sajuar me shumë vonesë, por më mirë vonë se kurrë. Kështu unë bëra divorcin me komunizmin. Periudha e jetës time me idetë komuniste në kohë ndahet në tri faza: Faza e parë fillon në shtatorin e 1927 dhe mbaron në gusht 1931 (në shkollën e artilerisë). Në këtë fazë aktiviteti im është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë fillon në gusht 1931 (në ushtrinë e Zogut) deri në tetor 1941. Në ushtrinë e Zogut unë krijova grupin komunist të ushtarakëve. Në 11 qershor 1937 u arrestova duke qenë oficer bashkë me shumicën e shokëve. Kryengritja e Fierit kishte dështuar dhe meqë ne kishim lidhje me ta, na arrestuan me akuzën: pjesëmarrje në të, subversion në ushtri dhe propagandë komuniste. Pas 7 muajsh hetuesi, na liruan dhe mua me Tahir Kadarenë na internuan në Gjirokastër. Në vitin 1938 u arrestua bashkë me Tahirin në Vlorë sapo zbritën nga një vapor jugosllav ku kishim hipur në Sarandë me emra të rremë, për të vajtur jashtë shtetit. Nga Vlora përfundova në birucat e Gjirokastrës. Gjatë kohës që isha i internuar krijova grupin komunist të Gjirokastrës. Në Konferencën e Gjirokastrës u zgjova sekretar i parë i partisë për Gjirokastrën dhe më vonë komisar politik i qarkorëve Vlorë-Gjirokastër. Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, unë isha anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodha anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion isha deri në 17 qershor 1955. Faza e dytë si komunist (dhe që përfshinte periudhën gusht 1931-tetor 1941) ka të bëjë me formën organizative të punës sime. Rezultatet e arritura me njërin apo tjetrin individ, unë i përforcoja me një punë të vazhdueshme propagandistike. Isha një gjuajtës njerëzish që më duheshin, aq sa shokët më emëruan “Kaçatori”. Faza e tretë fillon në nëntor 1941 dhe mbaron 17 qershor 1955 që unë arrestohem sapo kalova derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së. Kjo erdhi si pasojë e luftës sime të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 5 ditësh më 23 qershor 1955 internohem familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957 arrestohem dhe izolohem në Kalanë e Kaninës në Vlorë prej ku transferohem në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënova më 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohem nga burgu dhe internohem drejt në Selenicë. Lirohem nga internimi më 10 maj 1990 ditën kur u shpërnda Komisioni Internim-Dëbimeve. Arrestimi im i parë ka qenë më 1925 në Turqi kur unë nuk pranova të flas turqisht. Akuza:”krim i përdorimit të gjuhës amtare”. I dyti më 11 qershor 1937 në ushtrinë e Zogut. I treti më 1938 kur arratisem me Tahirin. I katërti në nëntorin 1941 për organizimin e hedhjen e trakteve së bashku me Bajram Sinoimerin. I pesti 13 mars 1942 arrestohem i tradhtuar nga një golemas. I gjashti më 4 janar 1958, tani si armik i komunizmit. Jam internuar 4 herë; më 1934 para se të vinte Konti çiano në Tiranë, më 15 Shtator 1937 kur më liruan nga Hetuesia e Ushtarakëve. Më 23 Qershor 1955 në Elbasan. Më 6 tetor 1974 mbasi lirohem nga burgu i Burrelit.
Lavdi Zotit! Të gjithë regjimet shtetërore më kanë arrestuar vetëm për çështje politike.
Vijon nesër...