E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli pejan

Në qytetin e Pejës nuk ka pasur nevojë të intervenojë Inspektorati komunal për heqjen nga shitja të lëngjeve me prejardhje nga Serbia, si të dyshimta për cilësinë e tyre. Vetëdijesimi i biznesmenëve pejanë për të ruajtur reputacionin e mbërritur në tregun e atjeshëm ka qenë arsyeja e këtij veprimi. Ndërkohë, autoritetet komunale shtojnë se arsyeja e dytë, edhe më e fortë, është se ata furnizohen nga furnitorë të ndryshëm dhe se mallin e përfolur e paguajnë tek pasi të kenë bërë shitjen e tij.

Shefi i dikasterit sanitar, Muhamet Avdyli, ka thënë se asnjë nga produktet e cilësuara nga Ministria e Shëndetësisë si të dyshimta dhe jo në përputhje me deklaracionin e tyre, nuk gjendet në shitje.

“Gjithë lëngjet e cilësuara tashmë si jocilësore janë tërhequr nga vetë biznesmenët”, ka thënë Avdyli.

Sipas tij, malli i tërhequr nga shitja nuk është asgjësuar. Pritet ndonjë vendim tjetër nga Inspektorati Sanitar i Kosovës. Një mundësi që është përmendur është superanaliza që eventualisht mund të kërkohet nga importuesit e tyre në Kosovë. Përderisa në 9 supermarketet e Pejës këto lëngje nuk shihen të ekspozuara për shitje që nga data 5 janar, situata nuk duket e njëjtë edhe në dyqanet e vogla.

“Ne nuk mund ta mbulojmë gjithë rrjetin tregtar me 3 inspektorë”, tha Avdyli. Pas bërjes çështje të këtyre lëngjeve, shënimet e fundit flasin për 5 mijë tonë lëngje të tilla në Pejë, të ndaluara për konsumim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›